Italia po përgatitet të zbatojë një ndryshim të rëndësishëm ligjor në fushën e punësimit, duke u bazuar në Direktivën 2023/970 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, miratuar më 10 maj 2023. Qëllimi kryesor është forcimi i parimit të pagës së barabartë për burrat dhe gratë që kryejnë punë të njëjtë ose me vlerë të barabartë.
Projekt-dekreti, i cili pritet të shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave, parashikon të drejtën e punëtorëve për të kërkuar dhe marrë me shkrim informacion mbi nivelet mesatare të pagave, të ndara sipas gjinisë, brenda dy muajve nga kërkesa.
Ky hap, synon të rrisë transparencën dhe të eliminojë diskriminimin në paga. Punonjësit mund të paraqesin kërkesën drejtpërdrejt ose përmes përfaqësuesve të tyre, dhe punëdhënësi është i detyruar të japë përgjigje me shkrim. Megjithatë, ligji nuk lejon publikimin e fletëpagesave individuale, duke ruajtur parimin e konfidencialitetit.
Punëtorët mund të informohen vetëm mbi të ardhurat mesatare dhe kriteret e kompensimit të përdorura në kompani, si përparimi në karrierë bazuar në meritë apo vjetërsi. Ndryshime pritet të ndodhin edhe në shpalljet e vendeve të lira të punës, të cilat do të duhet të specifikojnë pagën për pozicionin e ofruar dhe çdo element shtesë të përcaktuar nga marrëveshjet kolektive.
Kompanitë do të kenë detyrimin të vlerësojnë më me rigorozitet aftësitë, kushtet e punës dhe angazhimet individuale, duke përcaktuar nivele klasifikimi në frymën e barazisë gjinore. Afatet janë të qarta: deri në qershor 2026 kompanitë duhet të përmbushin kërkesat e reja, ndërsa deri në qershor 2027 duhet të dorëzojnë raportin fillestar mbi nivelet e pagave.
Në rast diskriminimi, ligji parashikon kompensim të plotë, përfshirë rimbursimin e pagave të papaguara, shpërblimeve, dëmeve jo materiale dhe interesave. Për më tepër, barra e provës bie mbi punëdhënësin, i cili duhet të dëshmojë se nuk ka shkelur ligjin. Ky reformim pritet të sjellë një hap të madh drejt transparencës dhe barazisë në tregun e punës italian.
Shqipëria: kakofoni ligjore dhe mungesë transparence
Ndryshe nga nismat e qarta të Bashkimit Evropian, realiteti i tregut të punës në Shqipëri shpesh karakterizohet nga kakofoni ligjore dhe mungesë transparence. Ligjet për barazinë gjinore dhe ndalimin e diskriminimit në paga ekzistojnë në letër, por zbatimi i tyre mbetet i dobët.
Institucionet japin shpesh sinjale kontradiktore, ndërsa mekanizmat e kontrollit janë të fragmentuar dhe joefikasë. Kjo krijon një klimë ku punonjësit nuk kanë besim se të drejtat e tyre respektohen dhe ku diferencat në paga mbeten të fshehura.
Kjo situatë jo vetëm që dëmton barazinë gjinore, por edhe nxit pasiguri dhe pabarazi të përgjithshme në tregun e punës shqiptar. Pa një reformë të thellë dhe pa zbatim real të ligjit, Shqipëria rrezikon të mbetet shumë prapa standardeve evropiane për transparencën dhe drejtësinë në paga./tesheshi.com/



