“Kam shumë frikë kur mendoj operacionin, nuk e di a do t’ja dal apo jo (qan). Më kanë thënë që është një operim i rrezikshëm pasi është formuar një masë shumë e madhe në mëlçi.”

Prej kohësh Jonida jeton me peshën e sëmundjes, një barrë që sa vjen e bëhet edhe më e rëndë. 25 vjeçarja është nënë e një fëmije tre vjeçar, shpresa e drita e saj e vetme. Arsyeja se përse ajo ende mbahet e fortë.

“Shumë shumë e trishtueshme… kurrë nuk e mendoja. Vdekjen e dija se do të vinte tek unë, por kurrë tek fëmijët. Ajo është shumë e re në moshë. Ajo nuk di shumë gjëra, por jo të gjitha mund t’ja shfaqim. Ka rrezik të madh për jetën.  Iu lutem nga zemra, kudo ku janë shqiptarët, të na ndihmojnë sadopak që të shpëtojmë jetën e një nëne të re.”-na tregon vjehra e Jonidës, e cila lutet për ndihmë.

Por për familjen Çekrezi, kosto financiare e operimit është e papërballueshme. Jonida na tregon se shpesh vuajtjen mundohet ta mbajë për vete.

“Unë e vuaj më shumë sëmundjen në vetmi. Kur jam vetëm, e vras mendjen shumë. Gjatë kohës që im shoq më tregoi se operimi kushton shumë para… (qan) nuk e kam pritur. Nuk e di a ia dalim dot. Operacioni kryhet në një spital në Tiranë e na kanë thënë se kushton 20 mijë euro. Ne nuk kemi mundësi…”-tregoi 25 vjeçarja.

Ditët duken më të errëta për Jonidën. Ndonjëherë kur dëshpërimi ia mbush zemrën, ajo e gjen motivin e jetës tek i biri. Lutet për ndihmë, por jo për veten. Lutet për hir të të birit, që ai të mos rritet jetim.

“Doja të rrisja tim bir, ta çoja në kopësht, në shkollë, ta shihja duke u rritur. Por ja që jeta ka të papritura, ka shumë sfida. Fokusin më të madh e kam për tim bir… po të isha vetëm, asgjë, le të ndodhte çfarë të ndodhte me mua. Ndaj i lutem të gjithë shqiptarëve që të më ndihmojnë, nuk dua ta lë jetim djalin.”-rrëfen mes lotëve 25 vjeçarja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re