Aktorja e njohur e Teatrit të Kukullave, Shegushe Bebeti, ka bërë një rrëfim shumë emocionues në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News.

Ndër të tjera, ajo ka folur për qytetin e saj të lindjes, Elbasanin dhe planin që ka për një Festival Ndërkombëtar të Kukullave në të. Shegushja i konsideroi kukullat një magji, të cilën do të ishte mirë që të gjithë fëmijët ta prekin nga afër.

“Unë i kam prindërit me origjinë nga Elbasani, pavarësisht se prindërit e mi ishin në Tiranë, unë kam lindur në Elbasan, sepse si vajzat që shkojnë te mamat kur janë larg dhe unë kam shkuar.

Edhe pse e rritur, e shkolluar dhe po e mbyll jetën në Tiranë, kur i thonë, unë Elbasanin e kam pikë të dobet, është qyteti im i lindjes, është qyteti i prindërve të mi, është qyteti që e do shumë artin, kulturën, qyteti i dijes, qyteti i arsimit. Pra, gjithmonë kam menduar që të bëj një gjë të bukur për fëmijët e Elbasanit dhe thash pse jo, një Festival Ndërkombëtar i Kukullave do të ishte një gjë shumë e bukur për të sjellë eksperienca të bukura, shfaqje të bukura, stile, skenografi, të cilat prap fëmijët nuk kishin mundësi t’i shikonin ndonjëherë. Dua ta kthej në traditë, pse jo, Elbasani është shumë afër me Tiranën, me Durrësin, Pogradecin, pse jo? Kam shumë qejf ta kthej në traditë.

Ndonjëherë kukulla jo vetëm që është magji, por të gjithë kur jemi të vegjël, kemi dëshirë të luajmë me kukulla. Të ndërtojmë shtëpinë e kukullave, të bëjmë personazhe, sidomos vajzat futen në rolin e mamasë me vajzën, me djalin. Dmth brenda vetes të gjithë e ruajnë një pjesë fëminore, sa do i rritur të jesh. Mund të jesh i lidhur, i stresuar, po relaksohesh, aq më tepër Teatri i Kukullave është magji më vete pasi fëmija ka mundësi ta shohi si interpretohet një personazh, ta marri kukullën, ta preki, ta shoh si qesh, si bën një numër magjik”, tha aktorja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re