Është thelluar bilanci i të shtënave me armë që ndodhën paraditen e kësaj të hëne në Universitetin Perm në Rusi, i cili ndodhet 700 milje në lindje të Moskës në Uralet Ruse.

Derimë tani raportohet për 8 persona të vdekur dhe 6 të tjerë të plagosur.

Autori i vrasjes është një student i identifikuar si Timur Bekmansurov, 18 vjeç. Në një postim në mediat sociale të shkruar pak para sulmit, Bekmansurov shpjegoi krimin, dhe deklaronte se qëllimi i tij ishte që të merrte sa më shumë jetë. Duket se i riu ka qenë në gjendje të rënduar mendore në momentin kur ka planifikuar dhe kryer krimin e rëndë.

“Që prej kohës kur e njoh veten, gjithmonë kam menduar për vdekjen. Unë nuk e di sa mund të vras, por do të bëj gjithçka që të marrë sa më shumë njerëz me vete”, shkruante Bekmansurov, i cili vetë ka mbetur i plagosur pas sulmit.

Gjatë tentativave për ti shpëtuar të shtënave me armë, shumë studentë u hodhën nga dritaret e klasave të tyre, ndërkohë që pamjet u bënë menjëherë virale.

Zyrtarët e universitetit u kanë bërë thirrje studentëve që të largohen nga kampusi, ose të qëndrojnë të mbyllur në një dhomë, ndërkohë që policia ka rrethuar të gjithë zonën.

Të shtënat masive janë ngjarje relativisht të rralla në Rusi duke pasur parasysh praninë e kontrolleve të rrepta të armëve, por në vitet e fundit është vënë re një trend rritës.

Në maj të këtij viti, një student në Kazan sulmoi shkollën e tij të mëparshme, duke vrarë nëntë persona.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re