Skip to content

“Duan të dekapitojnë…” Çfarë po parashikon Rusia, sipas një zyrtari të SHBA-ve

Reuters i ka kushtuar një artikull interesant disa deklarimeve të një zyrtari të Mbrojtjes së SHBA-ve, i cili është shprehur se Rusia planifikon “dekapitimin” e qeverisë së Ukrainës.

Kjo do të bëhet sipas zyrtarit, duke përdorur një sulm në Kiev me një prej tre akseve të sulmit që kanë nisur rusët në Ukrainë.

“Të dhënat që kemi parë deri më tani, janë të ngjashme me parashikimet tona të mëparshme, se qëllimi i Rusisë është ky: dekapitimi i kësaj qeverie (të Ukrainës)”-tha zyrtari amerikan, duke folur në kushtet e anonimitetit.

Zyrtari nuk i dha Reuters të dhëna konkrete, por u shpreh se sulmi i të enjtes është vetëm faza e parë e një pushtimi në shkallë të gjerë, që deri më tani ka kërkuar përdorimin e vetëm një numri të vogël trupash, kur përreth Ukrainës janë tashmë afro 150 mijë ushtarë.

“Ne besojmë se ai (Putin) nuk ka angazhuar ndonjë pjesë të madhe të forcave që ka në dispozicion”-tha më tutje zyrtari lartë.

Më herët, zyrtarë të tjerë amerikanë, i thanë Reuters se pushtimi mund të zgjasë 10 deri në 15 ditë, por zyrtari i mbrojtjes i pyetur në kushtet e anonimatit, deklaroi se nuk do të spekulojë sesa mund të zgjasë një kasaphanë ruse, duke shtuar se të vendosësh për sa kohë, është një punë e kotë.

Deri më tani objektivat kanë qenë kryesisht të fokusuar në objektet ushtarake dhe ato të mbrojtjes së ajrit, pra barrakat, godinat me municione, aeroportet, 10 prej tyre janë sulmuar”-shtoi zyrtari.

Sipas këtij zyrtari, qëllimi i Rusisë mbetet i thjeshtë, teksa forcat e tyre i afrohen Kievit.

“Ata duan të instalojnë atje, metodën e tyre të qeverisjes”-tregoi zyrtari.

Zyrtari amerikan shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë patur indikacione se ukraina po kundërpërgjigjet dhe se pushtimi mund të sjellë potencialisht, një gjakderdhje të madhe.

“Gjasat janë të mëdha që të ketë shumë gjakderdhje, shumë kosto e impakt në të gjithë Evropën”-deklaroi ai.



Post Views:
6