Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Zjarrfikës në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet është oranizuar një ceremoni, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Gjatë fjalës së tij, ministri Balla u shpreh se shërbimi zjarrfikës duhet të arrijë në standardet më të larta, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve.

“Rruga jonë drejt anëtarësimit në BE, duhet ta transformojë edhe këtë Shërbim, që të jetë si në vendet më të përparuara. 4 maji, si Dita e Shërbimit Zjarrfikës, në Shqipëri lidhet edhe me 5 Majin, si Dita e Dëshmorëve, pasi edhe ky shërbim ka të rënë në detyrë. Por kemi filluar të çelim një etapë të re për mënyrën sesi duhet trajtuar ky shërbim, i cili ka hyrë në fazë transformi të burimeve njerëzore, apo mbështetje me infrastrukturën e duhur me mjete e pajisje, por edhe trajtimin e duhur financiar”, tha Balla.

Në prag të sezonit turistik, njëkohësisht edhe të zjarreve për shkak të temperaturave të larta në verë, Balla deklaroi se angazhimi është i plotë.

“Vitin e kaluar kemi patur më shumë se 500 raste shpëtimi, shumica turistë të huaj që duan të shijojnë në maksimum bukuritë natyrore të Shqipërisë, por që është dashur ndërhyrja për t’i gjetur, shpëtuar, evakuuar e kthyer në shtëpitë e hotelet ku qëndrojnë. E ndërsa numri i turistëve pritet të rritet, natyrshëm do të rritet kërkesa për operacione shpëtimi. Kemi filluar përgatitjet, po bashkëpunojmë edhe me partnerët të tjerë, ku dua të përshëndes Federatën e Aplinizmit. Por shembulli që na vjen nga vendet e tjera është që Shërbimi Zjarrfikës ka nevojë e na duhet edhe vullnetarizmi. Duhet ta zgjerojmë e të marrim modelet më të mira”, nënvizoi Balla.

Shërbimi zjarrfikës ka aktualisht 1300 forca në 61 bashkitë në vend. Ministri ripërsëriti mesazhin se në këtë shërbim duhen njerëz të përgatitur, e nuk ka vend më për qoka.

“Të jesh punonjës zjarrfikës ka nevojë për shumë cilësi, fizike por edhe profesionale. Ndaj na duhen njerëz të përgatitur se përballen me sfida të vështira”, apeloi Balla.

Të ftuarit ndoqën disa ushtrime të ndërhyrjes, të përgatitura nga trupa e shërbimit zjarrfikës.

Përgjatë sezonit turistik, Shërbimi Zjarrfikës, Policia e Shtetit dhe Urgjenca do të operojnë me një Trupë të Ndërhyrjes Teknike në disa pika të nxehta dhe të populluara, për të qenë në gatishmëri në raste emergjencash.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re