Ministrja e bujqësisë, Anila Denaj konfirmon se nuk do të ketë një bllokim të programit IPARD 3, pavarësisht hetimit të nisur nga zyra europiane kundër mashtrimit, OLAF, për korrupsionin në shpërndarjen e fondeve në ndihmë të bujqësisë.

 

Sipas saj, kemi të bëjmë vetëm me një ngadalësim të programit dhe ky fakt është reflektuar edhe në shifrat zyrtare të buxhetit për bujqësinë, që për 2024 rezulton me një rënie financimi prej 9%.

 

ANILA DENAJ

MINISTRE E BUJQESISE DHE ZHVILLIMIT RURAL

“Nëse flasim se pse kjo ulje në raport me investimet e brendshme, do të theksoja se një nga arsyet është shuma prej 1.68 mld lekë që ishte vendosur më parë si një fond për të mbështetur financimet e brendshme për programin e IPARD 3. Por për këtë vit kemi gjykuar që edhe për arsye të një procesi më të ngadaltë në program, që dua ta theksoj që është vetëm ngadalësim të programit, por ne do të vijojmë me rialokime në vazhdim. Ne e kemi rialokuar këtë fond drejt zërave më të rëndësishëm si: 400 milionë lekë shkojnë për mbështetjen e bashkive për investime në infrastrukturë.”

 

Buxheti i vënë në dispozicion për sektorin e bujqësisë është i pamjaftueshëm për të mbuluar nevojën e këtij dikasteri, ndaj kërkohet një rialokim i fondeve në vijim.

 

 

ANILA DENAJ

MINISTRE E BUJQESISE DHE ZHVILLIMIT RURAL

“Në 2023 me aktin normativ, qeveria alokoi fondin për mbështetjen e plotë buxhetore për të gjithë aplikuesit në skemë, duke mbështetur gati 55 mijë fermerë. Nga 3.3 mld në 5.5 mld. Sot buxheti ngelet në tavanin 3.3 mld, por nevoja është më e lartë, ne parashikojmë që nevoja do të jetë trefish më e lartë. Nevoja për mbështetje buxhetore për të mbështetur biznesin në sektorin e bujqësisë është më e lartë sesa ajo që paraqesim sot. MB po punon për një strategji që do të kërkojë në të ardhmen një mbështetje më të lartë nga buxheti i shtetit.”

 

Në prezantimin e projektbuxhetit që bëri në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ministrja Denaj njoftoi edhe rishikimin e Skemës Kombëtare të mbështetjes për fermerët, por pa dhënë detaje sesi do të ndryshojë ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re