Blendu Fevziu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” nga Ylli Rakipi në MCN TV, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Fevziu deklaroi se priste humbjen e mazhorancës dhe nuk e kishte menduar një fitore të mandatit të tretë nga Edi Rama.

“Besoj që për arsye të shondazheve, na çonte tek ky rezultat. Por, kam menduar që pakënaqësia ndaj Ramës dhe mënyra si ka qeverisur, një votë proteste do të ishte më e fortë se sa vota pro opozitës. Pra do të gjykohej qeveria. Mendova se ishte votë e pakapshme nga sondazhet.

Nuk rezultoi edhe pse mëngjesin e të dielës mendova se diçka po ndodhte, sepse u raportua një pjesëmarrje e lartë.

Në Shqipëri, më shumë se votë ndaj atij që vjen, tentohet të shkojë vota kundër atij që është. Mendova se vota për të rrëzuar Ramën do të ishte më e fortë. Por, duhet dikush ta rrëzojë.

Vija re që kishte një gjë të cuditshme, të dyja palët ishin të bindura që fitojnë. Në zgjedhjet e mëparshme ne e dinim pak a shumë kush fitonte“, tha ndër të tjera Fevziu.

Fevziu komentoi edhe arsyet përse opozita i ka humbur zgjedhjet.

“Duke hequr parregullsitë, procesin, mendoj se analiza e humbjes së PD duhet të bëhet.

Arsye që vijnë para fushatës dhe brenda fushatës. Para fushatës, ishin mungesë koherence në qëndrimin ndaj institucioneve. PD braktisi institucionet. Braktisi reformën territoriale, kemi një hartë elektorale ku PS maksimalizon mandatet. Vini re, PSD merr 3 mandate me 30 mijë vota, LSI merr 4 mandate me 100 mijë vota.

Ka patur problem me largimin nga parlamenti, i mundësoi Ramës të ndryshojë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor. I dha Ramës një fuqi që nuk e ka patur askush, të kontrollojë 100% parlamentin. Braktisja e zgjedhjeve lokale e lanë PD-në pa mbështetje reale në terren.

Dobësimi i LSI në Berat, ishte e pamundur që LSI të vërtitej në kufijtë e një mandati edhe pse ka patur dy më parë.

… Basha personalizoi fushatën, shmangu nga fushata Berishën, Kryemadhin. Duhet të luante lojën e një ekipi gjigand, të tregonte se kishte një koalicion të gjerë. Por ai e ktheu si përplasje brenda dy individëve“, tha Fevziu.

loading…

/faxweb