Analisti Mentor Nazarko, në një intervistë për “Neës Line”, komentoi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, ku partia ‘Evropa Tani’ kryesoi duke siguruar 24 mandate. Sipas analistit, kjo parti rrezikon që të përçahet për shkak të një skandali të kryetarit Milojko Spajiç.

“Dalja e këtij skandali pak ditë para votimit me siguri e ka ulur partinë nga 30 përqind në 25 përqind. Dhe kjo vendosje e gishtit tek Spajiç krijon mundësi për një çarje të partisë. Mediat malazeze flasin për një rivalitet mes këtij dhe poresidentit Milatoviç dhe mundësia që ky i fundit t’i thotë grupit parlamentar se duhet të zgjidhni midis meje dhe Spajiç që ka probleme legale është një mundësi reale. Pra pritet një riorientim i kësaj partie ose në një koalicion me Urën ose me partinë e Gjukanoviç.“, tha Nazarko.

I pyetur për mundësinë e Dritan Abazoviç për të qenë sërish kryeministër, Nazarko shtoi:

“Është një skenar që mund të ketë probabilitet të kufizuar por nuk është i papërjashtueshëm. Duhet kuptuar teknologjia e krijimit të koalicioneve. Nëse partia Evropa Tani e shmang koalicionin me Frontin Serb, atëherë mundësitë për koalicione janë me partinë e Abazoviç dhe me partitë e pakicave ose të bëjë koalicion me partinë e Gjukanoviç.

Nazarko theksoi se fakti që 6 deputetë shqiptarë hyjnë në parlamentin e ri, nuk do të thotë se mund të ketë rritje të përfaqësimit të shqiptarëve. Ai shtoi se partitë shqiptare duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të qenë faktor kyç.

“Mendoj se kjo rritje e tyre nuk do të sjellë domosdoshmërisht një rritje të përfaqësimit të intetesave të shqiptarëve, duke bërë përjashtim për partinë e kryetarit të Tuzit, Nik Gjeloshaj, i cili pati rritje të ndjeshme shkon në dy deputetë dhe është një politikan që ka bilanc konkret në avancimin e interesave shqiptare. Politikanët e tjerë që kanë qenë deputetë të veçantë ose deputetë të Milos ose në koalicion me të, nuk kanë bilanc të konsiderueshëm. Duhet pranuar se qeveria Rama nuk ka ndikuar në këto zgjedhje ashtu siç do të duhet të ndikonte. Para katër vitesh bëri thirrje të votohej Gjukanoviç, në këto zgjedhje nuk bëri thirrje as për të votuar partitë shqiptare edhe as Abazoviç.

Mirëpo, përçarja e shqiptarëve, loja e tyre individuale, nuk ka sjellë një avancim të interesave. Ulqini është komuna më e pasur por ka njohur emigracionin më të lartë. Po them që nëse Shqipëria do të kishte rol më pro aktiv, duke i shtyrë partitë shqiptare që të bashkëpunojnë me Abazoviç, mundësia që Abazoviç të jetë faktor përcaktues është e lartë. Kur marinarët shqiptarë kanë hipur në një anije më të madhe sesa ajo e vogla që kishin, atëherë kanë avancuar interesat e tyre siç kanë ndodhur në qeverinë Abazoviç me mbajtjen e flamurit, simboleve, me investime më të mëdha në Ulqin dhe Tuz. Nëse Shqipëria do të jetë më proaktive kanë mundësi që të bashkëpunojnë dhe të hipin jo në anijen e partive etnike por të partive qytetare si ajo e zotit Abazoviç”, përfundoi Nazarko.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re