Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Parlamentin e Austrisë, ku u takua me kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Austri–Shqipëri, Michael Hammer, si dhe me anëtarë të këtij grupi.
Gjatë takimit, Gjekmarkaj falënderoi deputetët austriakë për kontributin në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Shqipërisë në proceset demokratike dhe integrimin europian.
Ai theksoi se procesi i integrimit europian duhet të mbetet i bazuar te merita, standardet demokratike dhe shteti i së drejtës, e jo vetëm mbi konsiderata gjeopolitike.
Nënkryetari i Kuvendit ndau gjithashtu shqetësimet lidhur me zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, duke iu referuar edhe problematikave të evidentuara në raportin e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të OSBE-së (ODIHR).
Sipas Gjekmarkajt, nevojiten më shumë hapësira demokratike për opozitën në jetën institucionale shqiptare, ndërsa ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si fenomen i rrezikshëm i unifikimit të partisë me shtetin.
“Në vijim të vizitës zyrtare në Parlamentin e Austrisë, pata kënaqësinë të takohem me kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Austri–Shqipëri, z. Michael Hammer, si edhe me anëtarë të këtij grupi. I falënderova z. Hammer dhe deputetët austriakë për kontributin e tyre në forcimin e miqësisë mes dy popujve dhe parlamenteve tona, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Shqipërisë në proceset demokratike dhe integrimin europian.
Theksova se integrimi europian duhet të mbetet një proces i bazuar mbi meritën, standardet demokratike dhe shtetin e së drejtës, e jo thjesht mbi konsiderata gjeopolitike.
Gjatë bisedës ndava shqetësimet lidhur me zgjedhjet e 11 majit, problematikat e evidentuara edhe në raportin e OSBE/ODIHR-it, nevojën për më shumë hapësira demokratike për opozitën në jetën institucionale shqiptare, si dhe fenomenin e rrezikshëm të unifikimit të partisë me shtetin. Po ashtu, përcolla përshëndetjet e liderit të opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha.”, thekson Gjekmarkaj.
