Pas më shumë se dy muajsh me dyer të mbyllura, pronarët e lokalit “Dorgen” po i japin dorën e fundit përgatitjeve për rihapjen e biznesit të tyre në qendër të Tiranës.

Por ndonëse e kanë pritur me padurim këtë ditë, ata janë të shqetësuar se bashkë me menaxhimin e lokalit, tashmë do t’u duhet të bëjnë edhe rolin e policit.

“Por si supozohet t’i ruajmë klientët tanë nga mëngjesi deri në orën 17.30? Do na duhet të bëjmë dhe rolin e policit tani, të kontrollojmë si ulen dhe si qëndrojnë,” thotë Geni, njëri prej pronarëve.

“Përveç faktit që do përgjysmohet numri i tavolinave, do jetë tepër e vështirë pjesa e menaxhimit të hapësirës… Në rast se cënohet distanca prej 2 metrash mund të gjobitemi,” shton ai i shqetësuar.

Të mbyllur prej 11 marsit si pasojë e epidemisë së COVID-19, baret dhe restorantet janë ndër bizneset e fundit në Shqipëri që po bëhen gati të rihapin dyert e tyre të hënën më 18 maj, në përputhje me planin e lehtësimit të masave të qeverisë.

Megjithatë, shumica e sipërmarrësve të këtyre bizneseve janë ende të paqartë se si do ta ushtrojnë aktivitetin në kushtet e protokolleve të sigurisë kundër COVID-19, ndërsa parashikojnë se do t’u duhet një kohë e gjatë për t’u ringritur sërish në këmbë.

Protokolli i masave higjieno-sanitare përmban një listë të gjatë detyrimesh për baret dhe restorantet; që nga përdorimi i maskave, dorezave dhe dezinfektantëve e deri te matja e temperaturës së klientëve apo kufizimi i kontakteve me ta. Shërbimi ndaj klientëve do të lejohet vetëm në ambientet e jashtme, me një distancë prej dy metrash nga njëra tavolinë në tjetrën.

Sipërmarrësit i thanë BIRN se rregullat e reja janë të vështira për t’u zbatuar, veçanërisht në mbajtjen nën kontroll të klientëve. Ata i frikësohen një vale të re gjobitjesh dhe penalizimesh me pretekst protokollin e sigurisë.

“Tani është e sigurt që do të vijnë vetëm për kontrolle e do na mbushin në gjoba…edhe këto kemi mangët,” thotë Gëzim Kastrati, pronar i një restoranti me emrin e familjes në afërsi të sheshit “Skënderbej”.

(Karriget e vendosura njëra mbi tjetrën në një lokal në Tiranë. Foto: Nensi Bogdani)
Me aktivitet prej 20 vitesh, restorant “Kastrati” po përballet me vështirësi të shumta për shkak të krizës së COVID-19, ndonëse gjatë muajve të karantinës e vazhdoi shërbimin për klientët në formën take/away. Edhe rihapja më 18 maj nuk ofron asnjë shpresë për pronarin Gëzim Kastrati, pasi restoranti funksionon në ambientet e brendshme dhe zotëron vetëm 3 tavolina në një ballkon të vogël.

“Në fillim kisha gjithsej 15 veta personel, tani kam mbetur me 3 veta, e bashkë me mua bëhemi 4 gjithsej…sa e morëm pak veten pas tërmetit, na erdhi virusi. Nuk po rimëkëmbemi dot,” thotë Kastrati, ndërsa shton se paratë e marra nga qeveria si “pagë e luftës” nuk i mjaftojnë për mbajtjen e familjes, pagesën e sigurimeve dhe të qirasë së restorantit.

Probleme të ngjashme ka edhe menaxheri i kafenesë “Polis” në afërsi të Muzeut Kombëtar.

“Ne po pastrojmë e po bëhemi gati, por asgjë udhëzim specifik nuk kemi marrë zyrtarisht, përveç këtyre rregullave që janë publikuar… A do punojmë të shtunë e të diel nuk e dimë, se atëherë janë pushim dhe shumica e klientëve që mund të vijnë,” thotë i paqartë Erindi, menaxheri i lokalit.

Shqetësimin e orarit të reduktuar e ndajnë të gjithë pronarët e lokaleve, pasi fluksi i klientëve është pikërisht në orarin që ata supozohet të mbyllen. Me ambiente dhe aktivitet të reduktuar, ata janë gjithashtu të paqartë se si do ta menaxhojnë kohën që një klient duhet të kalojë në kafene.

“Kush do vijë deri në 17.30? Të gjithë dalin pas orës 17.00…të gjithë e duan një kafe pas pune, e ky është orari që ka frekuentimin më të madh, për mos të folur për fundjavën, që nuk e dimë akoma a do hapim dot apo jo,” thotë Geri nga bar “Dorgen”.

Vili, menaxher i restorant “Piazza” pas Muzeut Kombëtar thotë se ata janë me fat që kanë hapësira të bollshme në ambientet e jashtme për klientët. Megjithatë, ai është i paqartë për oraret dhe ditët e ushtrimit të aktivitetit.

“Sytë lart nga Zoti me shpresë edhe vazhdo punën,” thotë ai.

Kafenetë dhe restorantet janë bizneset më popullore në Shqipëri dhe bllokimi 2-mujor ka shkaktuar padurim mes qytetarëve –klientë të tyre. Por sipërmarrësit e këtyre bizneseve do të duhet të gjejnë një ekuilibër të ri mes zbatimit të rregullave dhe kërkesave të klientëve.

Geri nga lokali “Dorgen” i tha BIRN se muajt e karantinës janë përballur me kërkesa të shumta nga klientët e lagjes që kërkonin kafe, por ata nuk rrezikuan asnjëherë që të hapnin biznesin jashtë rregullave.

“Që pasi u mbyllëm dhe vinim të kontrollonim, shfaqej ndonjë klient i lagjes dhe na kërkonte t’i nxirrinim ndonjë karrige për t’u ulur, e pastaj na kërkonte t’i bënim dhe ndonjë kafe…..a thua se ne nuk donim të punonim,” kujton ai.

Vështirësitë ai i parashikon edhe për të ardhmen e biznesit të tij.

“Cfarë të bëjë kamarieri përpara, të lajë e të dezinfektojë duart pas çdo shërbimi apo t’u shërbejë klientëve me porosi, të ruajë distancat midis tavolinave apo të masë temperaturën e klientëve,” pyet pronari i bar “Dorgen”. “Kështu si po shkon puna do duhet të punësojmë një person të ve֛çantë që të merret posaçërisht me respektimin e rregullave,” ironizon ai. /Reporter.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re