Ministri i Informacionit dhe Transmetimit i Pakistanit, Fawad Hussain Chaudhry, tha se duhet të forcohet bashkëpunimi mediatik mes Pakistanit, Malajzisë dhe Turqisë.
Ministri Hussain Chaudhry bëri deklarata për (AA) lidhur kanalin e përbashkët televiziv që është planifikuar të formohet mes tri vendeve, zhvillimin e bashkëpunimit mediatik dhe lidhur me një sërë punimesh të përbashkëta mes Pakistanit dhe Turqisë.
Hussain Chaudhry rikujtoi se ideja për formimin e kanalit të përbashkët televiziv mes tri vendeve erdhi në rendin e ditës me takimin e liderëve disa vite më parë.
Ai informoi se ka biseduar me ministrin e jashtëm të Malajzisë, Saifuddin Abdullah, në kuadrin e takimit të Organizatës së Bashkëpunimit Islam në Islamabad. Më tej ministri pakistanez tha se kanë diskutuar që tri vendet të takohen sërish lidhur me partneritetin mediatik.
Duke vënë në dukje se shpreson që brenda tre muajve të fillojnë punimet për të formuar kornizat e platformës digjitale, Hussain Chaudhry shpjegoi se pas kësaj, platformën në fjalë do ta shndërrojnë në një kanal televiziv me kohë të plotë.
“Pas formimit të kornizës (Platformës digjitale), ne këtë iniciativë mund ta bëjmë realitet brenda tre muajve”, tha Chaudhry.
– “Tri vendet duhet të bëjnë seriale dhe filma të përbashkët”
Chaudhry përmendi punimet e përbashkëta të serialeve të Turqisë dhe Pakistanit dhe këto i cilësoi si një “zhvillim i mrekullueshëm”.
Pasi tërhoqi vëmendjen se edhe Malajzia duhet të përfshihet në këto projekte, Chaudhry tha se “Tri vendet duhet të bashkohemi për të bërë më shumë seriale dhe filma të përbashkët”.
Ministri pakistanez Hussain Chaudhry vuri në dukje se pas ardhjes në pushtet të qeverisë së kryeministrit indian Narendra Modi në Indi janë bërë filma që kanë temë ekstremizmin dhe se janë prodhuar perceptime kundër Pakistanit.
– “Turqit kanë ndikim të madh në rajon”
Duke theksuar se turqit kanë ndikim të madh në rajon, Hussain Chaudhry deklaroi: “Historia turke është shumë e pasur dhe ne si muslimanë e ndiejmë që jemi një pjesë e saj. Muslimanët në kontinentin më poshtë kanë marrëdhënie shumë speciale me turqit”.
Ministri Hussain Chaudhry theksoi se bashkëpunimi i tri vendeve do të hapë më shumë dyer dhe se ky bashkëpunim do të jetë i rëndësishëm jo vetëm për Turqinë, Pakistanin dhe Malajzinë, por edhe për pjesën tjetër të botës.
