Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar marrëveshjen për emigrantët të arritur mes Shqipërisë dhe Italisë.

Basha kërkoi transparencë urgjente, ndërsa shton se interesi kombëtar është prioritet.

Pas kërkesës për interpelancë me kryeministrin Rama të lajmëruar më herët se tashmë është depozituar në Kuvend, Basha paralajmëron se këtë çështje do ta çojë edhe në Gjykatën Kushtetuese, për të kuptuar nëse bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

“Sot Partia Demokratike ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë me zotin Rama, për të shpjeguar para shqiptarëve këtë rrufe në qiell të hapur. S’ka pasur asnjë indikacion, asnjë tregues, që tregon se Shqipëria përmes qeverisë së saj, ishte e gatshme të merrte refugjatë të paligjshëm në territorin e vet. Përkundrazi, ka reagime publike të zotit Rama që në Shqipëri nuk do të ketë kampe refugjatësh, dhe papritur kemi këtë angazhim i cili merret në titull personal, pa asnjë debat publik, pa asnjë diskutim me qytetarët, pa snjë diskutim me përfaqësuesit e qytetarëve në parlamentin e Shqipërisë. Interpelanca ka për qëllim të ofrojë transparencë, çfarë po bëhet, me çfarë kushtesh po kërkohet të merren këto njerëz, çfarë kushtesh ofron Shqipëria, pse po bëhet kjo?

Por e gjitha ka një kontekst shumë të dhimbshëm, ndërkohë që shqiptarët largohen, ndërkohë që kjo qeveri përzë shqiptarët, nga ana tjetër po kërkon të mbush vendin, apo të mbush kampet me emigrantë të paligjshëm. Në një vend ku sundimi i ligjit është problematik dhe ku prania e emigrantëve të paligjshëm mund të kthehet në një burim rreziku për interesat e qytetarëve shqiptarë, e më tej burim rreziku për emigracionin e paligjshëm drejt Bashkimit Europian. Nuk do të mjaftohemi vetëm me interpelanca, ndërkohe që do marrim informacionin e nevojshëm, do të përgatisim që këtë çështje ta dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Askush nuk mund të marrë vendime të tilla, pa u konsultuar me shqiptarët, qoftë përmes institucioneve, por pse jo edhe përmes referendumeve”, – shprehet Basha në deklaratën e tij.

Komentet, kreu i PD-së i bëri gjatë deklaratës ndërsa shpjegonte projektligjin e propozuar prej tij për vetting-un e politikanëve.

Vetingu i politikanëve për kryetarin e PD, është mundësi për të pastruar politikën dhe për të dëshmuar kush janë politikanët e korruptuar e kush jo, kush janë politikanët e lidhur me krimin e kush jo.

“Projektligji që është depozituar dje, është projektligji për vetting-un e politikanëve, pra ajo që ka ndodhur prej vitesh me gjyqtarët dhe me prokurorët, me punonjësit e policisë dhe me punonjësit e gardës, tani do t’i nënshtrohen dhe politikanët. Çfarë do të thotë? Do të thotë kontroll i përvitshëm i pasurisë së politikanëve, familjeve dhe rrethit të tyre shoqëror, me parimin ndiq paranë. Pra, për të konfirmuar që pasuria është e justifikueshme dhe e ligjshme, do të bëhet kontrolli i plotë dhe i detajuar i 140 deputetëve, 61 kryetarëve të bashkive, anëtarëve të qeverisë të zgjedhur me mandat kushtetues dhe një sërë drejtorësh të rëndësishëm të shtetit. Aspekti i dytë i projektligjit për vetting-un e politikanëve, ka të bëjë me kontrollin e lidhjeve të papërshtatshme siç e quan kontrollin e gjyqtarëve apo të prokurorëve ose më mirë të themi lidhjeve me krimin e organizuar. Dhe për këtë, çdo politikan, çdo vit, duhet të vetëdeklarojë që nuk ka kontakte të papërshtatshme me botën e krimit. Kjo deklaratë pastaj kontrollohet nga autoriteti për luftën kundër korrupsionit, që është ILDKP e reformuar, që do bëjë edhe kontrollin e pasurisë, edhe kontrollin e pastërtisë së figurës. Për këtë të dytën, merret informacion nga shërbimet inteligjente, nga policia e shtetit, nga SPAK dhe nga BKH-ja.”, tha Basha.

Duke u ndalur tek lufta kunder krimit të organizuat dhe korripsionit, zoti Basha tha se ai dhe PD i japin mbështetje të plotë SPAK. Kush ka abuzuar me paratë dhe besimin e qytetarëve duhet të japë llogari.

“SPAK-u është mandatuar nga parlamenti i Shqipërisë, nga shqiptarët për luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta. Ndaj në raport me SPAK, nuk duhet të ketë asgjë tjetër përveç mbështetje totale politike nga ato parti politike dhe nga ata përfaqësues të qytetarëve të cilët me të vërtet mbështesin opinionin publik. Mbështetja pa kushte për punën e SPAK-ut, është mbështetje për pastrimin e politikës nga korrupsioni dhe luftën kundër krimit të organizuar”, tha kreu i PD.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re