Armand Duka kandidoi për t’u bërë pjesë e Komitetit Ekzekutiv dhe ia ka dalë mbanë të sigurojë votat për diçka të tillë. Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit arrin një suksesin personal, që sjell të mira edhe për futbollin shqiptar. Në një pozicion të tillë nuk ka pasur në të shkuarën ndonjë shqiptar, çka e fut Dukën edhe në histori.

NJOFTIMI I FEDERATËS – Sot në Romë është zhvilluar Kongresi i 43-të i UEFA-s që kishte në rendin e ditës zgjedhjen e Presidentit të UEFA-s dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, pozicion për të cilin kandidonte dhe Presidenti i FSHF, Armand Duka.

Presidenti Duka ka arritur të zgjidhet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s me 36 vota, duke marrë besimin e delegatëve të shumë federatave të mëdha europiane për një mandat 4 -jeçar. Një arritje shumë e madhe kjo për Shqipërinë dhe futbollin shqiptar që ka arritur të kalojë kufijtë e përfaqësimit në institucionet më të rëndësishme europiane sportive. Për herë të parë në histori, futbolli shqiptar do të përfaqësohet nga Presidenti Duka në qeverinë e futbollit europian. Në këtë Kongres Aleksandër Ceferin u rizgjodh President i UEFA-s duke marrë një mandat për katër vitet në vazhdim.

Detyrat dhe përgjegjësitë e një anëtari të Komitetit Ekzekutiv në UEFA – Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është organizmi ekzekutiv suprem i UEFA-s. Përbëhet nga Presidenti UEFA-s dhe 16 antarë të tjerë, nga të cilët të paktën një femër, që zgjidhen nga Kongresi i UEFA-s, dy antarë zgjidhen nga Shoqata e Klubeve Europianë (ECA) dhe një antar që zgjidhet nga Ligat Europiane, të ratifikuara nga Kongresi, të gjithë me të njëjtat të drejta dhe detyra si të gjithë antarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv.

Anëtarët dhe zëvendëspresidenti – Komiteti Ekzekutiv nuk mund të ketë më shumë se një anëtar nga një federatë që është anëtare e UEFA-s. Ky rregull nuk aplikohet për anëtaret femra ose për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të zgjedhur nga ECA dhe Ligat Europiane. Çdo anëtar i Komitetit Ekzekutiv, me përjashtim të Presidentit dhe anëtarëve të gjinisë femërore, ka një rol aktiv (për shembull president, Zëvendëspresident, sekretar i përgjithshëm ose administrator i deleguar) në Federatën respektive. Komiteti Ekzekutiv zgjedh një zëvendës president të parë, katër zëvendës president të tjerë nga propozimet e Presidentit të UEFA-s. Presidenti mund ti japë funksione specifike ndaj cilitdo nga zëvendës presidentët./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re