Kreu i Partisë Ambientaliste Agrare, Agron Duka ka akuzuar qeverinë se I ka çuar fermerët e blegtorët drejt falimentimit.

 

Në një postim në Facebook, Duka teksa ka nxjerrë një mesazh zgjedhor të qeverisë të shtatë viteve me parë, shkruan se të gjitha premtimet e bëra nga qeveria gjatë kësaj periudhe nuk janë mbajtur.

 

Sipas Dukës, situata në bujqësi është përkeqësuar akoma më shumë nga ajo se çfarë ka premtuar qeveria.

 

“7 vite më parë, me këtë mesazh zgjedhor, Rilindja përshkruante gjendjen e bujqësisë dhe premtonte ndryshim. 7 vite më vonë, falë qeverisjes së Rilindjes, fermerë dhe blegtorë janë në prag të falimentimit. Për Maksutin, uji për vaditje mungon, ndërsa çështja e pronësisë së tokës nuk është mbyllur ende. Ulja e TVSH-së për imputet bujqësore u shoqërua me kundërmasën vrastare të uljes së rimbursimit të TVSH-së nga 20 në 6 %. Nafta u shtrenjtësua edhe më shumë, ndërkohë karburanti me të cilin furnizohet traktori i Maksutit ka të njëjtin çmim me të cilën furnizohet një veturë në Tiranë, apo është dy herë më i shtrenjtë se ai me të cilin furnizohet një jaht në Sarandë. 7 vite më vonë, pa orientim, pa subvencione, pa një program afatgjatë për zhvillimin rural dhe me bujqësinë në kolaps, Maksuti me siguri nuk ndodhet më në fshatin e tij. Pasi ose ka falimentuar, ose është larguar nga Shqipëria, të vetmet opsione që i ka dhënë atij partia që mbështeti 7 vite më parë.”