Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, njëherësh aleat i opozitës së Lulzim Bashës, Agron Duka, ka sulmuar mazhorancën për aksionin kundër informalitetit, të nisur gjatë kësaj vere.

Duka shkruan në “Facebook” se në vend që të dëshmojnë se Shqipëria është vendi më i varfër në Evropë, luftojnë me shezllonat dhe informalitetin.

Sipas kreut të PAA, këto nuk janë gjë tjetër veçse fushata propagandistike që nuk e ndihmojnë vendin, ekonominë dhe integrimin.

“Ndërkohë që të dhënat e Eurostat dëshmojnë se Shqipëria sot është vendi më i varfër në Europë, mazhoranca ka nisur një luftë me shezllonat dhe informalitetin, ekzistencën e të cilit e zbuloi vetëm në vitin e shtatë të qeverisjes.

Sigurisht, këto nuk janë gjë tjetër veçse fushata propagandistike që nuk e ndihmojnë vendin, ekonominë dhe integrimin. Prandaj, Shqipëria kërkon zgjidhje.

Një zgjidhje që nuk mund të vijë nga një mazhorancë ilegjitime, e faktuar si e tillë nga përgjimet e Bild dhe vendimi i Departamentit Amerikan të Sheteti për ish-kreun e bashkisë së Durrësit.

Por nga një Parlament i ri i dalë nga zgjedhjet e parakohshme Parlamentare.

Për këtë arsye sot, nga Divjaka, po vijojmë aksionin tonë politik për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Qëndresa dhe bashkimi janë një detyrë qytetare pasi nuk mund të lejojmë që ky Parlament i kalbur, që rrezikon të kalbë edhe shoqërinë, ta ketë të gjatë!”, shkruan Duka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re