Ndonëse nga qeveria nuk ka ardhur ende zyrtarizmi për rinisjen e kampionateve, Armand Duka e ka bërë fakt të kryer një gjë të tillë. Presidenti i FSHF gjatë një intervistë ekskluzive dhënë për italianen “Tuttomercatoëeb” tha se superiorja dhe kategoritë e tjera të futbollit nisin stërvitjet në grup ditë e hënë më 18 maj ndërsa sezoni rinis në fillim të qershorit në datat 3 dhe 7.

“Protokollin e rinisjes e kemi bërë të njëjtë me Gjermaninë. Do të bëjmë maksimumin tonë për t’iu përmbajtur këtyre rregullave. Mendoj se nuk është kaq e vështirë të jemi në një linjë me rregullat. Për fat të mirë situata shëndetësore në Shqipëri është shumë më e mirë sesa në vendet e tjera.”

Duka komentoi edhe pasojat e ndalesës 3 mujore në futbollin shqiptar duke evidentuar faktin që qeveria nuk I mbështeti sportistet.

“Klubet shqiptare në përgjithësi kanë humbur 20-25% të buxhetit vjetor. Kuptohet kemi humbur nga biletat dhe të drejtat televizive dhe duke parë këto vështirësi vendosëm të japim dy paga për lojtarët dhe stafet. Qeveria për fat të keq nuk na mbështeti dhe prandaj vendosëm të bëjmë vetë një sforco.”

Përkundër kësaj pakënaqësie, Duka tha se kishte telefonuar dhe përgëzuar Edi Ramën për dërgimin e infermiereve dhe mjekeve në Itali, duke e konsideruar veprimin më të mirë në kohë pandemie. Kreu i FSHF dhe anëtari I komitetit ekzekutiv të Uefa-s,  shtoi se Edi Reja I ka kthyer qetësinë kombëtares që nga koha e De Biasit. Duka nënvizon se kuqezinjtë mund të sfidojnë këdo kundërshtar në Europe me kualitetet që kanë dhe të rinjtë premtues që po rriten. Për këtë arsye edhe objektivi në fushatën e radhës të ligës së kombeve do të jetë vetëm vendi I parë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re