“Dukagjini kërkon rrugën” është thirrja që ka bërë bashkë banorët e Dukagjinit në protestën e organizuar ndaj autoriteteve.

 

Protestuesit kanë kërkuar shtimin e vëmendjes nga autoritetet dhe përmirësimin e infrastrukturës në zonë. Banorët kërkojnë ndërtimin e segmentit rrugor që lidh Prekalin, njësitë Administrative të Pultit, të Shoshit dhe të Shalës, sipas standardeve.

 

Deri në ndërtimin e rrugës së re banorët kërkojnë mirëmbajtjen e asaj ekzistuese.

 

Tubimi i ditës së sotme kishte dhe një simbolikë të veçantë që përkon me 16 vjetorin e aksidentit tragjik në Kir të Dukagjinit, ku humbën jetën 10 persona në 12 Mars të vitit 2007.

 

Lidhur me protestën ka reaguar dhe deputeti socialist Benet Beci duke shkruar se i mbështet banorët e Dukagjinit në kërkesat e tyre. Ai shprehet se do të plotësojë peticionin drejtuar autoriteteve për ndërtimin e rrugës.

 

 

“Sot në Shkodër po mbahet protesta e dytë për rrugën e Dukagjinit nga komuniteti i zonës. Siç e kam deklaruar publikisht edhe në protestën e parë, jam plotësisht dakord me protestën dhe e mbështes kërkesën e tyre të drejtë për ndërtimin e rrugës.

 

Do ta firmos patjetër edhe peticionin drejtuar autoriteteve për ndërtimin e rrugës. Angazhohem që projektin e hartuar të rrugës ta bëjmë publik në një takim të hapur me të gjithë të interesuarit në momentin më të parë së bashku me inxhinierët dhe agjencitë qeveritare që kanë përgatitur projektin. Hapi tjetër duhet të jetë akordimi i fondeve për fillimin e këtij investimi madhor.

 

Njëkohësisht u bëj thirrje autoriteteve vendore të bashkisë Shkodër si institucioni përgjegjës për rrugën, të mos fshihen pas shkresave të vagullta e të keqadresuara, por të marrin menjëherë masa për mirëmbajtjen e rrugës para sezonit pranveror, në të kundërt t’i kërkojnë qeverisë heqjen e rrugës nga inventari i saj dhe kalimin në inventarin e ARRSH-së si rruga Han i Hotit-Tamarë-Vermosh apo rruga Koplik-Bogë-Theth të cilat janë qartësisht të mirëmbajtura gjatë gjithë vitit”, shkruan Benet Beci.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re