Ervin Resuli, përfaqësues i Shoqatës së Konsumatorëve ka qenë i ftuar nëpërmjet një lidhje “skype” në emisionin “Me Xhaxhiun” në Fax News ku ka folur lidhur me problemet që kanë fermerët dhe blegtorët në vendin tonë, duke pasur parasysh protestat e fundit që kanë zhvilluar.

Resuli tha se VKM e cila ishte parashikuar se do të ndihmonte fermerët dhe blegtorët për vitin 2022 rezultoi komplet e kundërta, duke i vënë këta të fundit në vështirësi dhe duke i lënë të pambrojtur kundrejt rritjes së çmimit për produktet bujqësore dhe për karburantet.

Resuli tha se sipas kësaj VKM-je, 60% e fermerëve dhe blegtorëve përjashtoheshin nga skema kombëtare e rimbursimit.

Pyetje: Çfarë kërkojnë konkretisht blegtorët dhe fermerët?

Ervin Resuli: Bujqësia dhe blegtoria në tërësi kanë hasur një sërë problemesh. Në 30 vitet e fundit nuk është se ka pasur një mbështetje të vërtetë. Mos harrojmë se flasim për një sektor që qarkullon rreth 20% të prodhimit të brendshëm. Apo një sektor i cili ka peshën më të madhe të numrit të punësuarve pra mbi 450 mijë të punësuar. Bujqësia është një nga motorrët kryesorë që e mban Shqipërinë të ingranuar.

Pyetje: E shikoni ju një lloj paradoksi? Që bujqësia edhe pse jep rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm, sërish ka ngelur në ‘periferi’ të vëmendjes të qeverisë?

Ervin Resuli: Sektorë të tjerë në Shqipëri nuk është se janë kaq rezultativë. Nëse sektorë të ndryshëm, për shembull ajo e automobilave do ishte shumë e përhapur bujqësia nuk do ishte pjesë aq e madhe. Bujqësia pa turizmin nuk shkon. Më e çuditshmja është se duke bërë gjithë këtë propagandën për vëmendje ndaj bujqësisë dhe blegtorisë, gjendemi në një situatë shumë të vështirë, lidhëm edhe marrëveshje të cilat nuk respektohen si CEFTA për tregtinë e lirë. Nuk është se e kemi ditur se çfarë kemi firmosur.

Pyetje: Cila është vështirësia bazë që hasin fermerët dhe blegtorët?

Ervin Resuli: VKM për shpërndarjen e fondeve për skemën kombëtare, u dakordësuam për disa skema të cilat do zgjidhnin problemet për vitin 2022. Duke marrë në konsideratë se 2022 i përket një viti të vështirë për bujqësinë dhe blegtorinë, kur flasim për çmimin e drithërave dhe produkteve të tjera të cilat janë rritur. Ne mendonim se skema kombëtare të shkonte tek zhepat e fermerëve por u ballafaquam me një VKM që përjashtonte 60% të fermerëve dhe blegtorëve.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re