Kreu i SPAK, Altin Dumani ka raportuar në Parlament punën e kryer nga institucioni që ai drejton për vitin 2024.
Ai bëri një bilanc të pasurive të sekuestruara nga SPAK, ku sipas tij, kjo vlerë arrin në shumën rreth 36,7 milionë euro.
“SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar. Në këtë kontekst, është forcuar Sektori i Hetuesve Financiarë nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve njerëzore kryesisht në hetimet financiare dhe pasurore me veprime komplekse brenda dhe jashtë vendit ku përfshihen edhe veprimet me kriptovaluta. Gjatë vitit 2024, me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë është finalizuar nxjerrja e një udhëzimi të përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale për kryerjen e hetimit financiar dhe pasuror në SPAK. Ndërkohë që për pasuritë e konfiskuara kjo vlerë arrin në shumën rreth 36,7 milionë euro. Kështu, vlera e pasurive të sekuestruara zë rreth 43,8% të vlerës totale, ndërsa pasuritë e konfiskuara zënë rreth 56,2% të vlerës totale. Krahasuar gjithashtu me vitin 2023, vihet re një rritje në masën rreth 59,7% e vlerës totale të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara (rreth 65,5 milion euro në vitin 2024 kundrejt rreth 41 milion euro në vitin 2023).
LEXO EDHE: Dumani: Hetimet për inceneratorin e Tiranës vijojnë, Ahmetaj i mirërpritur të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë
Para ligjvënësve, Dumani theksoi se në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024, Shqipëria vlerësohet me 42 pikë, ndërsa shtoi se indeksi i perceptimit të korrupsionit është përmirësuar.
“Në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024, Shqipëria vlerësohet me 42 pikë, duke e përmirësuar indeksin e perceptimit të korrupsionit me 5 pikë në raport me një vit më parë. Transparency International ka njohur rolin e SPAK në rritjen e besimit të publikut. SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar. Në këtë kontekst, është forcuar Sektori i Hetuesve Financiarë nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve njerëzore kryesisht në hetimet financiare dhe pasurore me veprime komplekse brenda dhe jashtë vendit ku përfshihen edhe veprimet me kriptovaluta. Gjatë vitit 2024, me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë është finalizuar nxjerrja e një udhëzimi të përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale për kryerjen e hetimit financiar dhe pasuror në SPAK”.
Dumani është ndalur më pas edhe në nevojën për të ngritur një njësi analize për hetimet komplekse.
“Ndërkohë janë shfaqur edhe disa problematika të tjera, të cilat së bashku paraqiten, si më poshtë:
1. Presioni i jashtëm ndaj SPAK nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatik, i cili cenon pavarësinë e tij kushtetuese dhe efektivitetin në hetime. Ndërhyrjet e jashtme rrezikojnë gjithashtu, integritetin e prokurorëve dhe të procesit hetimor. Për të garantuar pavarësinë e SPAK- ut, si dhe mbështetje për prokurorët në çështje të ndjeshme, nevojitet një reagim më i koordinuar dhe në kohë i të gjitha institucioneve, të cilat kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së integritetit të SPAK.
2. Vijimi i mungesës së përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. SPAK konstaton se, kjo problematikë nuk është adresuar ende dhe thekson se mos përcaktimi i qartë i këtij statusi mund të cenojë vijimësinë e ruajtjes së standardeve të larta profesionale të hetimit, të kërkuara nga publiku, Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe institucionet ndërkombëtare. Siç është nënvizuar edhe në raportin vjetor të SPAK për vitin 2023, nga mungesa e një statusi të qartë të prokurorëve të posaçëm do të cenohej gjithashtu dhe vazhdimësia e hetimeve të rëndësishme të kryera nga SPAK.
3. Vijimi i mos adresimit të akordimit të këshilltarëve ligjor pranë Prokurorisë së Posaçme. Cilësojmë në mënyrë të përsëritur se, mungesa e këtij standardi burimi njerëzor vë në vështirësi cilësinë e hetimit dhe prapësimeve të SPAK në ndjekjen e çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit dhe në Gjykatën Kushtetuese.
4. Vijon ende të ngelet problematike numri i ulët i referimeve nga institucionet publike, përfshirë policinë e shtetit në lidhje me veprat penale në kuadër të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
5. Përfundimi i ngritjes së sistemit të administrimit të çështjeve (Case Management System) mbetet një prioritet për Prokurorinë e Posaçme. Sistemi ka një ndërtim modular dhe në dhjetor 2024 ka përfunduar zhvillimi/ndërtimi i moduleve. Për shkak të përfundimit të projektit mbështetës të ICITAP, ky proces është pezulluar dhe pritet të përmbyllet brenda vitit 2025, me fonde të BE-së.
6. Ngritja e njësisë së analizës së SPAK që do të shpërbejë për të mbështetur hetimet komplekse, matjet e riskut, dhe raportimet në kuadër të negociatave me BE, Moneyval dhe raportime në kuadër të strategjive kombëtare të ndryshme, ngele një sfidë. Po bashkëpunohet me ekspertë ndërkombëtarë për të përshtatur një model sipas kërkesave dhe funksionimit të SPAK.
7. Vijon të mbetet problematike statusi i specialistit Ndërlidhës në Sektorin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta, i cili trajtohet si nëpunës civil bazuar në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar dhe në ligjin nr. 152/2013 “Për Nëpunësin Civil”, të ndryshuar. Kjo situatë është në kundërshtim me funksionet, që duhet të kryejë Specialisti Ndërlidhës sipas ligjit nr. 95/2016, siç është argumentuar në raportin vjetor të SPAK, për vitin 2023.
8. Vijon të ngelet e pa adresuar mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave të autoriteteve të huaja lidhur me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja në Shqipëri në ngarkim të shtetasve shqiptarë për veprat penale, për të cilat Prokuroria e Posaçme ka në kompetencë, sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale. Po kështu, paraqitja e kërkesave për njohjen dhe ekzekutimet e vendimeve penale të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nga një shtet i huaj, si dhe realizimi i procedurës të ekstradimit për jashtë të shtetasve shqiptarë.
9. Mungesa e kompetencës lëndore e Gjykatave të Posaçme për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimit penal për subjektet e posaçme sipas parashikimeve të nenit 135, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 75/a, të Kodit të Procedurës Penale. Aktualisht këto kërkesa shqyrtohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm penal, siç është argumentuar në raportin vjetor të SPAK, për vitin 2023.
10. Vazhdon dhe mbetet problematike çështja e mos ekstradimit të shtetasve shqiptarë të lokalizuar apo arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, siç është argumentuar në raportin vjetor të SPAK për vitin 2023”, tha ai.
LEXO EDHE: “Nuk i trembem sfidave…”/ Ja çfarë i ka kërkuar Kuvendit Altin Dumani
