Gazetari Elvis Myrtaj, i ftuar në studion e lajmeve të Fax News, u shpreh se SPAK do të duhet ta kishte menaxhuar më mirë sekretin hetimor të ‘plumbit të artë’ Nuredin Dumani, dëshmia e të cilit zbardhi 18 ngjarje kriminale të ndodhura në vitet e fundit në vendin tonë.

Janë një sërë vrasjes që kanë ndodhur në harkun kohor të 10 viteve të fundit, të cilat janë zbardhur nga Dumani, i cili nën shoqërimin e forcave RENEA është dërguar në javët e fundit në disa prej vendngjarjeve, ku dëshmia e tij përputhej me provat e grumbulluara më herët nga prokuroritë.

Dumani ka rrëfyer sesi Talo Çela vrau një grua për 30 mijë euro duke bërë që ngjarja të inskenohej si grabitje.

“Ne kemi disponuar dosjen, brenda të cilës janë 110 fashikuj, ku shumica e hetimeve, bazohen në dëshminë e Nuredin Dumanit, duke lëshuar 32 urdhër arreste. Interesante në këtë dosje, është se sipas të dhënave që ky shtetas ka dhënë, janë zbardhur disa ngjarje të rënda, prej vitit 2012, vrasja e nënë e bir Fatmira dhe Elvis Deda, ku referuar dëshmisë së Dumanit, Deda është vrarë nga Festim Qoli, ndërsa Fatmira nga Talo Çela. 

E ndjera u vra, për shkak se kërkonte drejtësi në prokurori për vrasjen e djalit të saj. Për vrasjen e Fatmira Dedës, është paguar 30 mijë euro, duke e bërë vrasjen të duket si vjedhje. E ndjera është dhunuar, dhe më pas është qëlluar në qafë me thikë. Çdo gjë përputhet në dëshminë e Dumanit.

Nuredin Dumani është mbajtur i shoqëruar nga forcat RENEA, edhe në vende të ndryshme, ku dëshmonte në lidhje me ngjarjet kriminale që janë bërë. Provat e mbledhura përputhen, janë 18 ngjarje që janë zbardhur, nga vrasjet e bujshme në Peqin-Elbasan, Rrogozhinë, vrasjet e dyfishta në Durrës. Ka persona të tjerë që janë implikuar në këto vrasje, atentate të dështuara, atentati ndaj pronarit të shkollës Uillson në Tiranë, për këtë ngjarje dyshohet vetë krahu i djathtë i Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhaj, dhe një person tjetër i arrestuar’, u shpreh Myrtaj.

Sipas gazetarit, Dumani ishte person që vriste vetëm për para, e madje shpeshherë grupet rivale e kontaktonin njëkohësisht për të eleminuar nga secila palë. Myrtaj u shpreh se dje SPAK dështoi që të arrestonte 14 persona, të cilët mund të konsiderohen në të vërtetë edhe emrat BIG të këtyre krimeve.

“Nuredin Dumani vriste vetëm për para, dy personazhe të njohur në Elbasan, Florenc Çapja, ka pajtuar Nuredin Dumani, për të vrarë Sokol Sanxhaktarin, kalonte nga njëri krah në krahun tjetër. Ai ka zbardhur dhe disa vjedhje me dhunë të vitevetë fundit. Prokuroria u tregua pak euforike në lidhje me këtë ngjarje, për shkak se të gjithë personat që kanë pasur kontakte me Dumanin mund të largohen, siç pamë edhe që ndodhi dje, asnjë nga emrat BIG nuk u arrestuan.

Pasi nga ora 7 deri në 13 forcat RENEA kanë mësyrë në zonën e Liqenit të Thatë, pasi aty dyshohej se fshihej Suel Çela, dhe nuk kanë bërë të mundur arrestimin e tij, pavarësisht informacioneve që kishin se mund të fshihej aty. Talo Çela është një person, për kapjen e të cilit në vitet e fundit RENEA ka dështuar 20 herë për ta kapur.

Edhe Ervis Martinaj prej kohësh jeton i lirë, janë bërë kontrolle në hotelin e tij në luginën e Patokut, dhe nuk është arritur që të kapet. Ka dyshime se mund të ketë pasur dekonspirim, dëshmia e Dumanit duhet të ishte vërtetë sekret hetimor. Puna e SPAK në lidhje me dëshminë e tij vlen për t’u admiruar, pasi kemi 18 ngjarje të zbardhur, 14 njerëz që janë në kërkim, ndaj tyre rëndon një akuzë’, tha Myrtaj.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re