Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Perlat të Sukthit, ku një konflikt për motive të dobëta mes dy komshinjve përfundoi me një tentativë vrasjeje. Policia arrestoi në flagrancë shtetasin Benard Shkajoti, 32 vjeç, i cili akuzohet se ka tentuar të vrasë komshiun e tij duke e përplasur me makinë. I plagosuri ndodhet në spital, ndërsa autori rezultoi se drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Durrës
Tentoi të vriste me makinë komshiun e tij, vihet në pranga 32-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin B. Sh., 32 vjeç, banues në Sukth, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Në fshatin Perlat, Sukth, pas një konflikti për motive të dobëta (fyerje dhe ofendime), ky shtetas tentoi të vriste me automjetin që drejtonte, komshiun e tij, shtetasin L. D., 40 vjeç, banues në Sukth. Ky i fundit, si pasojë e goditjes me automjet, pësoi dëmtime dhe u transportua në Spitalin Rajonal Durrës, ku po merr ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe shërbimet e Policisë Rrugore i kryen testin e alkoolit, ku rezultoi se ai drejtonte automjetin në gjendje të dehur, me masën 0.92 mg/l.
Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
