Një ngjarje e rëndë ndodhi këtë të dielë në plazhin e Sektorit Rinia në Durrës, ku një pushues humbi jetën në det.
Në mungesë të vrojtuesit të plazhit, kanë qenë pushues të tjerë që kanë tentuar ta ndihmojnë, por pa rezultat.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është një burrë në moshën 50-vjeçare, por ende nuk është bërë i mundur identifikimi i tij.
Nuk dihet nëse shkaku i vdekjes është mbytja apo një atak kardiak i papritur, teksa ai ndodhej në det.
Asnjë nga pushuesit nuk e ka njohur në momentet e para viktimën, duke e bërë më të vështirë identifikimin e tij.
Efektivët e policisë, që mbërritën në vendngjarje, po punojnë për identifikimin e viktimës, pasi trupi i pajetë u nxor nga uji nga vetë pushuesit.
Mungesa e vrojtuesve të plazhit mbetet problem edhe për këtë sezon turistik në shumë segmente të bregdetit.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 14:30, në zonën e Sektorit Rinia, është gjetur në det, trupi i pajetë i një shtetasi rreth 50 vjeç, ende i paidentifikuar.
Paraprakisht dyshohet se shtetasi është mbytur në det.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për identifikimin e shtetasit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.