Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, kanë intensifikuar kontrollet në terren për monitorimin e nivelit të zhurmave në zonat turistike të Durrësit dhe Golemit.

Kontrollet vijnë në kuadër të Planit të Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror, si dhe për zbatimin e ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”.

Sipas Policisë, janë organizuar edhe takime informuese me persona fizikë dhe përfaqësues biznesesh që gjenerojnë zhurma nga muzika, me qëllim sensibilizimin për respektimin e rregullave ligjore.

Gjatë ditëve të fundit, janë testuar me pajisje matëse disa ambiente të hapura dhe të mbyllura në zonat më të frekuentuara turistike. Matjet rezultuan brenda kufijve të lejuar të përcaktuar nga legjislacioni për ndotjen akustike.

Gjithashtu, janë kontrolluar edhe respektimi i orarit të lejuar për muzikë, i cili sipas rregullores, në zonat e banuara dhe turistike, lejohet nga ora 11:00 deri në 24:00.

Policia e Durrësit thekson se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit veror, me qëllim garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për banorët dhe pushuesit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko