Këshilli bashkiak i Durrësit miratoi sot shembjen e 2 pallateve dhe 86 ndërtesave të tjera të dëmtuara nga tërmeti. Një nga pallatet që do të shembet është godina e njohur që pas tërmetit si pallati i VIP-ave, pasi aty kanë jetuar personazhe të njohur mes të cilëve dhe këngëtarja Parashqevi Simaku para zhvendosjes në SHBA.
Pallati i ndërtuar në vitet ’80 u shpall i pabanueshëm që në ekspertizat e para për shkak të dëmeve strukturore dhe mëngjesin e sotëm specialistët e IKMT dhe policisë bashkiake të Durrësit kanë rrethuar pallatin që ndodhet në bulevardin ”Dyrrah” për të përgatitur shembjen e tij.
Specialistët xhenierë po punojnë për hapjen e furnelave në trupin e objektit ku do të vendoset dhe lënda eksplozive për shembjen e tij. Zona ku ndodhet pallati është tejet e populluar, e mbushur me godina të tjera banimi dhe biznese të shumta ndaj operacioni për shembjen me shpërthim të kontrolluar kërkon masa dhe siguri të lartë.
Ndërsa është shembur edhe shkolla 9-vjeçare që ndodhet në qendër të qytetit të Durrës. Dikur kjo shkollë ka pasur emrin Maliq Muço dhe pësoi goditje nga tërmeti 26 nëntorit i vitit të shkuar. Ndërsa këtë lagje janë dhe dy pallate për t’u shembur, një ndodhet te ish-restorant Pranvera.
Për shkak se nga ekspertiza rezultoi i dëmtuar rënde prej tërmetit të 26 nentorit, IKMT prish konviktin e mjeshterise sportive “Bernandina Qerraxhia” ne Durres. Godina u shemb sot nga IKMT.
Njoftimi për mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak:
Është zhvilluar me mjete të komunikimit elektronik mbledhja emergjente e këshillit bashkiak të Durrësit. Ja vendimi që ka miratuar në këtë mbledhje këshilli bashkiak: Miratohet vijimi i procedurave të prishjes së detyruar të pallatit nr. 14, zk nr. 8514, me nr. pasurie 1/362, bulevardi “Dyrrah”, Durrës, pallatit ndodhur në zk nr. 8513, me nr. pasurie 5/979/nd, rruga “Dalip Peza”, lagja nr. 17, si dhe 86 ndërtesave individuale, pronë private, të ndodhura në njësinë administrative Manëz, në zbatim të ekspertizave të thelluara të hartuara nga Instituti i Ndërtimit, Tiranë.
