Një sasi rekord kokaine, plot 613 kilogramë, më e madhja e kapur ndonjëherë në Shqipëri, u zbulua në Portin e Durrësit. Droga e fortë ishte e fshehur në një kontejner me fund të dyfishtë që ishte mbushur me banane.
 
Malli hyri në Shqipëri për llogari të Arbri Garden, një kompani shqiptare që merret me importin e frutave nga Amerika Latine. Firma është në pronësi të Arbër Çekaj.
 
Operacioni “Last Snow” zbuloi se droga ishte vendosur në 528 pako që mbanin edhe kodet përkatëse. Vlera e saj në treg arrin në 180 milionë euro.
 
Drejtori i përgjithshëm i policisë Ardi Veliu, bëri të ditura detaje të operacionit. Ai shpjegoi se kontenieri me kokainë ishte nisur në datën 19 shkurt nga Kolumbia. Ai kishte kaluar transit në Itali dhe Maltë, por nuk ishte zbuluar. Ndërkohë, malli u zbarkua në Durrës mbrëmjen e të martës. Agjentët që kishin marrë sinjalizim, ndoqën kamionin që mori kontenierin, derisa ai u fut në ambientet e kompanisë private në Maminas.
 
Forcat operacionale ndërhynë menjëherë duke bërë të mundur dhe bllokimin e drogës.
 
Administrator i firmës Arber Cekaj u shpall në kërkim, ndërsa në pranga ra shoferi i kamionit Armando Pezaku si dhe Donaldo Lushaj.
 
Sipas policisë lënda narkotike synonte tregun europian. Ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar
 
Ndërkohë policia ka marrë në pyetje të të ndaluarit, njëri prej të cilëve është dhe shoferi i kamionit që ka mohuar dijeninë mbi ngarkesën e drogës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re