Shtabi i Emergjencës me porosi të drejtuesit qendror të Operacionit për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore në qarkun e Durrësit z. Bledi Çuçi, po ndjek me përparësi situatën në të gjitha pikat e caktuara për shpërndarjen e ndihmave në qytetin e Durrësit.

Sipas një grafiku të hartuar nga Shtabi, situata në këto pika po menaxhohet nga përfaqësues të bashkisë së Durrësit dhe aktivistë të organizatave jofitimprurëse që po punojnë së bashku.

Këtu jemi në palestrën e pallatit të sportit “Ramazan Ngjala”. Që në orët e para të mëngjesit të së shtunës, rreth 70 aktivistë të bashkisë dhe të shoqërisë civile kanë nisur punën për grumbullimin e ndihmave që mbërrijnë nga magazinat qendrore, sistemimin e tyre në thasë sipas nevojave të mirëmenduara për të gjithë banorët e prekur nga tërmeti.
Sipas njoftimit që është bërë nga strukturat lokale në terren, të mbijetuarit e tërmetit hyjnë në këto ambiente pasi thirren nga personat e caktuar për shpërndarjen e ndihmave.

“Në palestrën e Pallatit të Sportit kryhen disa punë njëkohësisht. Kemi menduar që këtu të bëhet dhe sistemimi i veshmbathjeve në thasë, duke përfshirë në to pothuajse të gjitha masat e veshjeve që mendojmë se i duhen një familje, anëtarët e së cilës mund të jenë fëmijë dhe të rritur.

Po ashtu, të tjerë persona janë caktuar për shpërndarjen më pas të këtyre thasëve”, thotë një aktivist.
Jashtë dyerve gjenden qindra banorë që presin të marrin ndihmat. Askush prej tyre s’do të ikë pa to.
Por shqetësimi i aktivistëve është abuzimi që po shihet me ndihmat e shpërndara.

Shumë prej banorëve, pasi marrin thasët e caktuar për familjen e tyre, në rast mospëlqimi I flakin sapo dalin jashtë.

Por aktivistët kanë vënë re se në disa raste është abuzuar me shitjen e tyre në treg.

Pikat e shpërndarjes qëndrojnë të hapura gjatë gjithë ditës. Të gjithë aktivistët që po punojnë në to kanë një qëllim, t’u lehtësojnë sadopak dhimbjen këtyre banorëve të dëmtuar nga tërmeti.
Por në fund, ata kanë një apel: Mos abuzoni me donacionet, dikush tjetër mund të ketë më shumë nevojë për këto ndihma që flaken në rrugë!

Në funksion të informimit të qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti, të cilët kanë nevojë për ndihma ushqimore apo veshmbathje, është në dispozicion të tyre numri i posaçëm në Qendra Kombëtare Operacionale +355694110198.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re