NDERIM PËR ARTISTËT E TEATRIT

Nga Teatri “Aleksandër Moisiu” kanë dalë disa breza të shquar aktorësh, të cilët vit pas viti krijuan fizionominë e vërtetë të këtij arti magjik. Janë 20 aktorë të kësaj trupe që janë angazhuar në filmin shqiptar, duke bërë në total rreth 150 personazhe, ku pa dyshim, në majën e këtyre artistëve qëndrojnë aktorët e shquar Guljelm Radoja, Mirush Kabashi, Vangjel Heba, Xhevdet Feri, Marta Burda, Liri Lushi, Lyfti Hoxha, Spiro Urumi, Nikolin Xhoja, Meropi Xhoja, Xhelal Tafaj, Lazer Vlashi,Todi Thanasi etj.

 Shumë nga aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu” janë bërë të njohur në shkallë kombëtare përmes interpretimeve dhe individualitetit të spikatur artistik.

Loja aktoriale dhe nuri skenik i Artistit të Popullit, Nikolin Xhoja në rolin e Podgolisenit te “Martesa” e Gogolit njihet si një nga majat e intepretimit të komedisë.  Ndërsa “Nderi i Kombit”, Mirush Kabashi pas formimit dhe kontributit 23-vjeçar në këtë teatër u nderua me çmimin e parë në Festivalin e teatrit eksperimental në Kajro për monodramën “Apologjia e vërtetë e Sokratit”.

Bashkëshortët Vera dhe Spiro Urumi, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha, Marta Burda, Filika Dimo, Guljelm Radoja, Liri Lushi, Ali Bega, Xhevdet Feri, etj. janë disa nga aktorët e tjerë mjaft të vlerësuar që i dhanë këtij institucioni një vend të nderuar në teatrin tonë kombëtar. Bashkë me regjisorët dhe aktorët një meritë të veçantë në suksesin e teatrit kanë pasur edhe skenografët Zef Ujkaj, Ilia Rota, Fatos Mati, Thanas Popi, etj. si dhe punonjësit e “prapavijës” siç thirren edhe sot sektorët e dekorit, ndriçimit, fonisë dhe rekuizitës, pa të cilët shfaqjet teatrale nuk do të ishin të plota.

Veprimtaria e teatrit “Aleksandër Moisiu” lidhet kryesisht me godinën  aktuale të saj, e cila është përuruar, 55 vjet më parë, më 8 shkurt të vitit 1965. Salla me cilësi shumë të mira akustike dhe e pajisur me aparaturat e domosdoshme teatrale jo vetëm që i dha një impuls të ri punës së trupës, por afroi gjithnjë e më shumë spektatorë. 

Për të gjithë ata që marrin shkrimet autentike nga faqja Aktorët Shqiptarë.info,  dhe nuk citojne burimin do të paditen në gjykatë dhe pranë AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) për bllokimin e web-faqeve të tyre në territorin Shqiptar, në bazë të Nenit 80, Ligji 35/2016. Faleminderit për mirëkuptimin.

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re