Ashtu siç ishte parashikuar nga meteorologët, edhe qyteti bregdetar i Durrësit nuk i ka shpëtuar reshjeve të dëborës. Rënia e menjëhershme e temperaturave ka sjellë dëborën e parë dhe të rrallë edhe në qytetin e Durrësit.

Megjithatë, krahas kënaqësisë që u kanë ofruar qytetarëve, flokët e dëborës që kanë nisur të bien që rreth orës 17:53 të ditës së djeshme kanë krijuar jo pak problematika.

Ditën e djeshme bashkia postoi disa foto në të cilat shiheshin punonjësit e bashkisë duke hedhur kripë në rrugët kryesore të qytetit për të lehtësuar levizjen e automjeteve në akset e mbuluara nga ngrica, mirëpo duket se gjithçka paska qenë një propagandë, sepse pothuajse të gjitha rrugët janë të pushtuara nga ngrica.

Pra, Ndërmarrja e Rrugëve nuk ka bërë asgjë, duke rritur kështu rriskun e aksidenteve të mundshme.

Sakaq, një aksident është regjistruar ditën e sotme mëngjesin e hershëm, rreth orës 03:45, në autostradën Durrës-Tiranë.

Një ambulancë, me drejtues shtetasin me iniciale I.D, 51 vjeç banues në Sarandë, ka rrëshkitur pasi drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin, e për pasojë ka humbur jetën shtetësja Arziko Shehu, 71 vjeçe.

Sipas burimeve të FaxNews, 71 vjeçarja po transportohej për në Tiranë, pasi ishte bartëse e Covid-19 dhe gjendja e saj shëndetësore ishte e rënduar.

Sakaq, grupi hetimor ende po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që drejtuesi i ambulancës është shoqëruar në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme.

Sakaq, moti i keq dhe era e fortë që ka shkaktuar dallgëzim të madh kanë sjellë edhe pezullimin e lundrimeve të linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas.

Burime nga Kapitaneria e portit të durrësit na bëjnë me dije se trageti i linjës Adria Ferries nuk do të niset mbrëmjen e sotme nga Durrësi dhe po ashtu trageti i kompanisë GNV nuk do të niset nga Bari.

Ndërkohë trageti Rigel VII është nisur për në Bari mesditën e djeshme rreth orës 13:05, 10 orë para nisjes së zakonshme që bëhet në orën 23:00.

Ndërkohë peshkarexhat dhe anijet e tonazhit të vogël kanë anulluar lundrimet në drekë, pasi deti me dallgë 7 deri në 8 ballë nuk mundëson lundrimin e tyre.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re