Përfundon i pari proces nga drejtësia e reformuar ndaj një ish-zyrtari të lartë: ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u dënua të premten nga GJAKK me burg me akuzën për shpërdorimit të detyrës.

Pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJAKK), organi i akuzës firmosi urdhër – arrestin. Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri doli me pranga në duar nga salla e kësaj gjykate dhe u dërgua në mjediset e paraburgimit të burgut 313, burg i sigurisë së zakonshme, që ndodhet në Tiranë.

Tahiri: Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur ligjin

Ish-ministri Brendshëm Tahiri dhe avokati i tij Maks Haxhia kanë reaguar ndaj vendimit me burg: “Është thjesht padrejtësi. Jam moralisht i qetë. Nuk kam shkelur ligjin, kam bërë detyrën si më mirë çmunda”, ka theksuar pas dhënies së vendimit ish-ministri i Brendshëm, në një postim në Facebook.

Avokati i tij, Haxhia, të cilit trupi gjykues nuk i dha të drejtën e fjalës gjatë seancës, ku u mor vendimi, deklaroi, pas dërgimit të Tahirit në mjediset e paraburgimit se do të kundërshtojnë vendimin në Gjykatën e Lartë, “do të bëjmë rekurs, presim zbardhjen e vendimit të arsyetuar,” theksoi ai.

Ligji parashikon që rekursi në Gjykatën e Lartë të bëhet brenda 45 ditëve duke filluar nga dita e vendimit.

SHBA: Askush nuk është mbi ligjin

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ka përshëndetur vendimin e drejtësisë përmes një postimi në Twitter. “U bëjmë thirrje institucioneve gjyqësore që të vazhdojnë të demonstrojnë se askush – pavarësisht partisë, pozitës apo pasurisë – nuk është mbi ligjin. Jo më pandëshkueshmëri.”

Basha: Akuzat e PD ndaj Tahirit të vërteta

Lulzim Basha, kryetari i PD-së, forcës më të madhe opozitare në Shqipëri, e vlerësoi vendimin e GJAKK si një dëshmi ”për vërtetësinë e akuzave të PD lidhur me përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.”

Kronika e të parit proces gjyqësor kundër një zyrtari të lartë

Në të vërtetë si Gjykata e Shkallës së Parë ashtu edhe ajo e Apelit i rrëzuan akuzat e prokurorisë ndaj ish-ministrit Tahiri për përfshirje në trafikun e drogës. Ndaj tij mbeti vetëm akuza e shpërdorimit të detyrës.

Kjo akuzë i bëhet ministrit, që konsiderohej më i suksesshmi në qeverinë e parë drejtuar nga kryeministri Edi Rama në vitet 2013 -2017, Trofeja e tij më e madhe ishte shkatërrimi i kështjellës së kultivimit dhe trafikut të drogës në Shqipëri, fshatit Lazarat, që për më tepër se një dekadë ishte marrë i patrazuar me biznesin e canabis sativa, i lënë krejt jashtë kontrollit të policisë dhe shtetit ligjor. Por në mars 2017, pa mbaruar mandati qeverisës Rama 1, Tahiri bashkë me disa ministra të tjerë u shkarkuan nga kryeministri, që i përligji shkarkimet në kuadër të kërkesës së opozitës për një qeveri teknike, në prag të zgjedhjeve parlamentare 2017. Në ato zgjedhje Saimir Tahiri u zgjodh deputet i PS-së por jo pjesë e kabinetit qeverisës Rama 2.

Në vjeshtën 2017, gjashtë muaj pas fitores së mandatit të dytë qeverisës drejtuar po nga Rama, plasën akuzat për trafik droge kundër Tahirit. Organet e atëhershme të Drejtësisë në Shqipëri u vunë në dijeni nga Prokuroria e Katanias (Itali) që në përgjimet e saj të bisedave të trafikantëve të drogës, anëtarë të një organizate kriminale shqiptare që vepronte edhe në Itali, ishte përmendur edhe emri i ish-ministrit Tahiri. Në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij.

Maxhoranca Socialiste refuzoi kërkesën me mungesën e provave. Gjashtë muaj më pas, në pranverën 2018, Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit duke i hapur rrugën hetimeve. Pas shtatë muajsh hetime, Prokuroria e Krimeve të Rënda, kërkoi masën e sigurisë me arrest në burg. Por Gjykata e Krimve të Rënda vendosi të hetohej në arrest shtëpie. Pas hetimeve, Prokuroria kërkoi 12 vjet vjet dënim me burg. Por në shtator 2019 kjo gjykatë e nxorri të pafajshëm Tahirin për trafik droge dhe fajtor për shpërdorim detyre. Masa e dënimit ishte 5 vjet burg të kthyera në shërbim prove / punë vullnetare për “mosmarrjen e masave që do të shmangnin kanabizimin e Shqipërisë dhe përfshirjen në të të punonjësve të policisë”.

Ish-ministri Tahiri e quajti vendimin e mësipërm “të papritur, qesharak, absurd”. Sipas tij ai ishte i pafajshëm. Kryetari i opozitës Basha e quajti vendimin “të turpshëm, një vendim që tregon se drejtësia është marrë peng nga kryeministri Rama.”

Ish-ministri Tahiri e kundërshtoi vendimin në GjAKK dhe kërkoi pafajësi. Ai deklaroi, se “beteja e tij për të zbardhur të vërtetën sapo kishte filluar” . Pas 5 vitesh procesi gjyqësorpërfundoi të premten (04.02) me të njëjtin dënim, me të njëjtën akuzë por tanimë i burgosur, jo i lirë për ta shlyer dënimin me shërbim prove.

Tani do të jetë Gjykata e Lartë që do të duhet të gjykojë për të vërtetën që do të paraqesë në këtë gjykatë ish-ministri i Brendshëm Tahiri, tanimë i burgosur dhe avokati i tij. Publiku është në pritje vënien para drejtësisë edhe një tjetër ish-ministrit, Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit nga partia LSI, me të cilën Rama bashkëqeverisi në qeverinë e parë të tij në vitet 2013-2017. Ish-ministri Koka akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe ndodhet aktualisht në masë arresti në burg.

DW

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re