Dy ish-prokurorë dhe një ish-gjyqtar akuzojnë anëtarët e KPA-së Luan Daci dhe Ardian Hajdari se kanë gënjyer gjatë aplikimit dhe procesit të përzgjedhjes së tyre për një pozicion në institucionet e rivlerësimit. Kallëzuesit pretendojnë se ata kanë kryer edhe evazion fiskal dhe fshehje pasurie.
Nga Edmond Hoxhaj
Dy anëtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, gjyqtarët Luan Daci dhe Ardian Hajdari janë kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK për falsifikim, fshehje të ardhurash dhe mosdeklarim apo fshehje pasurie.
Kallëzimi penal është kryer nga ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës Elsion Sadiku dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla, të cilët janë shkarkuar nga detyra gjatë procesit të rivlerësimit.
Sipas koordinatores për mediet në SPAK, Laureta Binaj kallëzimi në fjalë ka mbërritur në prokurori dhe është duke u vlerësuar.
Në kallëzimin që BIRN e ka parë, pretendohet se anëtarët e KPA-së Luan Daci dhe Ardian Hajdari, gjatë aplikimit për një pozicion në institucionet e rivlerësimit kanë konsumuar veprat penale: “falsifikimi i dokumenteve”; “fshehja e të ardhurave” dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Denoncuesit shprehen se i bazojnë pretendimet e tyre në dokumente të siguruara nga Kuvendi, Avokati i Popullit dhe nga informacione që janë publike në institucione të tjera shtetërore.
Ndaj gjyqtarit Daci kreu më parë kallëzim penal edhe ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani. Bazuar në kallëzimin e këtij të fundit, SPAK nisi procedim ndaj Dacit për “falsifikim të dokumenteve” për shkak të mosdeklarimit gjatë aplikimit të shkarkimit nga detyra në vitin 1997 si dhe deklarimit të tij para Komisionit Ad Hoc se ishte larguar me dorëheqje.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi më 20 maj masën e sigurimit “pezullim nga detyra” për Dacin, por që u rrëzua më pas nga Apeli me shumicë votash, duke vlerësuar se fshehja e masës disiplinore nuk ishte falsifikim. SPAK e kundërshtoi vendimin e Apelit duke ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë.
Kallëzuesit pretendojnë se Luan Daci dhe Ardian Hajdari fillimisht janë përcjellë në Kuvend në listën e kandidatëve që nuk i plotësojnë kriteret formale dhe se mbetet e paqartë se si arritën të kualifikohen e të zgjidhen në nivelin më të lartë të institucioneve të vetingut.
Pretendimet kundër Luan Dacit
Ashtu si ish-prokurori Besnik Cani, tre kallëzuesit pretendojnë se anëtari i KPA, Luan Daci ka paraqitur dokumente me përmbajtje të falsifikuar, para Avokatit të Popullit, duke mos deklaruar masën disiplinore, me qëllim që të zgjidhej anëtar i institucioneve të rivlerësimit.
Denoncuesit argumentojnë se në rregulloren e hartuar nga Avokati i Popullit, ndër të tjera, parashikohet se për kërkesën që parashikon kushtin që kandidati të mos ketë qenë i pushuar nga puna, është i mjaftueshëm vetëdeklarimi.
“Pra, vetë akti rregullator i një institucioni shtetëror kompetent, i hartuar dhe miratuar në bazë dhe për zbatim të ligjit, i ka atribuuar vlerë vërtetuese apo zyrtare, pikërisht vetëdeklarimit të subjektit, në kërkesën e tij për shprehje interesi për një nga vendet vakante të institucioneve të rivlerësimit”, citohet në kallëzim, ku përmendet edhe fakti se kur deputetja Vasilika Hysi e ka pyetur Dacin për mënyrën e largimit nga detyra si gjyqtar në vitin 1997, ai ka deklaruar se ishte dorëhequr.
Duke e cilësuar si dokument vetëdeklarimin, kallëzuesit pretendojnë se në këtë rast falsifikimi paraqitet jo mekanik, me ndryshime, korrigjime, prishje apo fshirje të dokumentit, por konsiston në një falsifikim intelektual, duke u paraqitur të dhëna të rreme në një dokument që ka vlerë vërtetuese për plotësimin e kushteve të zgjedhshmërisë.
Veprën penale për “fshehje e të ardhurave”, kallëzuesit e bazojnë në deklarimin Dacit për vjetërsinë në punë. Ata pretendojnë se Daci ka deklaruar se ka ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë 17 vjeçare.
Në kallëzim thuhet se për të plotësuar këtë kriter Daci ka bashkëlidhur vetëm dokumentin “Leje e ushtrimit të profesionit” të vitit 2000 dhe asnjë dokument tjetër. Ndërsa pas rihapjes së garës, ka paraqitur një vërtetim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, sipas të cilit ishte anëtar prej vitit 2000 dhe se, nuk ka marrë masë disiplinore, si dhe ka shlyer detyrimet financiare ndaj Dhomës së Avokatisë.
Kallëzuesit pretendojnë se zotërimi i lejes së ushtrimit të profesionit të avokatisë nuk vërteton ushtrimin faktik të profesionit. Ata shprehen, se bazuar nga të dhënat publike, rezulton se Daci është regjistruar për herë të parë në organet tatimore për të ushtruar profesionin e avokatit në tetor të vitit 2007 dhe se nuk mund të vërtetohet ligjërisht se ka qenë avokat para këtij viti.
Në denoncim thuhet se edhe nëse merret i mirëqenë pretendimi i Dacit se ka ushtruar profesionin e avokatit edhe përpara tetorit 2007, atëherë ka kryer evazion fiskal. “…Ose ka pasqyruar të dhëna të rreme në aplikimin e tij të datës 03.02.2017, paraqitur përpara Avokatit të Popullit, për shkak se ka deklaruar se ka ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë jo më pak se 15 vjet, ose e ka ushtruar atë vërtetë, por ka fshehur të ardhurat e krijuara nga ky aktivitet, për të shmangur pagimin e detyrimeve tatimore…”, citohet në kallëzim.
Akuzën e tretë, kallëzuesit e bazojnë në deklarimin e pasurisë së Dacit para fillimit të detyrës. Sipas denoncuesve, ai ka deklaruar se nuk ka krijuar fare të ardhura dhe ngrenë pikëpyetje për mjetet financiare që nevojiten për përballimin e shpenzimeve të jetesës.
Kallëzuesit ngrenë dyshime se Daci ka fshehur burimin e krijimit të pasurisë së tij nga puna si avokat me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Anëtari i KPA, Luan Daci nuk ju përgjigj pyetjes për koment të BIRN, deri në publikimin e këtij shkrimi.
Pretendimet kundër Ardian Hajdarit
Kallëzuesit e denoncojnë edhe anëtarin tjetër të KPA, Ardian Hajdarin për të njëjtat veprat penale si kolegun e tij, Daci.
Ata pretendojnë se nga kërkimet e tyre kanë siguruar të dhëna se Hajdari ka paraqitur pranë Avokatit të Popullit, dokumente me përmbajtje të falsifikuar, me qëllim që të zgjidhej anëtar i institucioneve të rivlerësimit.
Sipas denoncuesve Hajdari ka deklaruar se ka ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë 17 vjeçare.
“Ndryshe nga sa ka deklaruar para Komisionit Ad Hoc të Kuvendit, ai në CV-në e tij ka pasqyruar se ka ushtruar profesionin e avokatit nga viti 2002-2004 dhe nga viti 2006 e në vazhdim. Pra, edhe sipas të dhënave të CV-së së tij, ai ka ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë maksimale prej 13 vitesh”, pretendojnë kallëzuesit të cilët shtojnë se, përvoja tjetër profesionale si jurist në Hidrocentralin e Komanit dhe Bashkinë e Vaut të Dejës nuk përfshihet në grupin e profesioneve të parashikuara në ligj.
Në kallëzim thuhet se Hajdari ka gënjyer dhe ka deklaruar të dhëna të pavërteta në Kuvend kur ka thënë se ka ushtruar profesionin e avokatit për 17 vite. Denoncuesit argumentojnë se gjatë një pjese të kësaj periudhe ai nuk mund të punonte jurist në administratë dhe njëkohësisht të ushtronte profesionin e avokatit.
Lidhur me “fshehjen e të ardhurave”, kallëzuesit e bazojnë pretendimin e tyre në të dhënat publike të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit/Biznesit. Sipas tyre, Hajdari është regjistruar për herë të parë në organet tatimore për të ushtruar profesionin e avokatit, në prill të 2007-ës. Në kallëzim thuhet se ai nuk ka qenë i regjistruar në organet tatimore para kësaj periudhe dhe nuk ka paguar sigurimet shoqërore për ushtrimin e profesionit të avokatit.
Veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, denoncuesit e bazojnë në deklarimin e pasurisë nga Hajdari, para fillimit të detyrës si gjyqtar në KPA.
Në kallëzim thuhet se anëtari i KPA nuk ka deklaruar fare të ardhura gjatë vitit 2017, ndërkohë që gjatë intervistimit në Kuvend, në cilësinë e avokatit ai ka thënë se ka përfaqësuar dhe mbrojtur një numër shumë të lartë çështjesh gjyqësore. “Krijohen dyshime se ai ka krijuar të ardhura nga avokatia gjatë vitit 2017, por nuk i ka deklaruar në tatime dhe, si rrjedhim, nuk i ka deklaruar as në deklaratën e tij të pasurisë”, pretendojnë denoncuesit të cilët shtrojnë pyetje se si janë përballuar prej tij shpenzimet për jetesë dhe si janë paguar taksat fikse të ushtrimit të aktivitetit të tij.
Gjyqtari i KPA, Ardian Hajdari i tha BIRN nëpërmjet një mesazhi telefonik se nuk kishte asnjë dijeni për një kallëzim të tillë. “Ju lutem mos më shqetësoni”, shkroi ai.