2 persona kanë ndërruar jetë në spitalin Infektiv, në 24 orët e fundit në vendin tonë, duke e çuar numrin e víktimave që prej fillimit të pandemisë në 74. Bëhet fjalë për një 67 vjeçare dhe një 73 vjeçare, të dyja nga Tirana me disa sëmundje bashkëshoqëruese, kanë humbur jetën në spitalin infektiv, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.

Ndërkohë sipas MSH-së pas testimeve të kryera dje, janë zbuluar 67 raste të reja me Covid 19, me numrin më të madh të të prekurve në Tiranë. Ka një rënie të lehtë të rasteve të reja, nga 90 të tilla që u regjistruan gjatë ditës së djeshme.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 34 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 6 në Kavajë, 4 në Elbasan, nga 3 raste në Kurbin, Korçë, nga 2 raste në Kukës, Krujë, nga 1 rast në Fier, Lezhë, Lushnje, Kamëz.

Njoftimi i plotë i Ministrisë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet me një thirrje secilit prej jush: tregoni kujdes me respektimin e rregullave. Përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, kur hyni në supermarket, në dyqane, në zyrë dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën.

Ju informojmë për situatën epidemiologjike në vend ku vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv. Aktualisht po trajtohen 88 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar.

Fatkeqësisht 2 qytetarë kanë humbur betejën me Covid19 gjatë 24 orëve të fundit. Një 67 vjeçare dhe një 73 vjeçare, të dyja nga Tirana me disa sëmundje bashkëshoqëruese, kanë humbur jetën në spitalin infektiv, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerave.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 376 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 34 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 6 në Kavajë, 4 në Elbasan, nga 3 raste në Kurbin, Korçë, nga 2 raste në Kukës, Krujë, nga 1 rast në Fier, Lezhë, Lushnje, Kamëz.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar në 1637 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1108 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore.
Kur është e mundur të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia për të minimizuar kontaktin mes tyre dhe përhapjen e infeksionit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura. Ruani distancën fizike, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse në ambiente publike apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.

Virusi është ende mes nesh, dhe ne mund ta mposhtim atë vetëm nëse ndryshojmë sjelljen tonë të përditshme duke respektuar rregullat e vendosura. Suksesi do të varet nga sjellja individuale e çdo qytetari.

Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Covid19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.
Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re