Dy grabitje banesash kanë ndodhur në harkun kohor të dy ditëve në Mat.

 

Grabitja e parë ka ndodhur dy netë më parë në fshatin Gërman. Mësohet se persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e shtetasit Sh.B duke i marrë një sasi parash që mendohet të jenë në vlerën e 200 mijë lekëve të rinj.

 

Nga deklarimet e bëra nga ana e pronarit të banesës, shumën e grabitur ai e kishte siguruar nga shitja e 2 viçave në qytetin e Burrelit. Ai dyshon se grabitësit kanë patur dijeni për këtë dhe mund ta kenë ndjekur e më pas kanë hyrë në banesën e tij teksa ai ndodhej jashtë. Shtetasi Sh.B ka njoftuar policinë e cila sipas tij ka shkuar me vonesë.

 

Grabitja e dytë mësohet se ka ndodhur në qytetin e Burrelit në lagjen “Drita”. Persona të maskuar dyshohet se kanë hyrë në një banesë në të cilën jetonte e vetme një e moshuar.

 

Nuk dihet se çfarë kanë arritur të marrin grabitësit, ndërsa policia ka mbërritur pranë banesës mëngjesin e të shtunës.

 

Të dyja këto ngjarje nuk janë raportuar nga policia, ndërsa banorët e rrethit Mat po ndjehen të pasigurtë. Pak më shumë se një muaj më parë një grabitje e rëndë ndodhi në fshatin Dom. Persona të maskuar dhe të armatosur hynë në një banesë dhe pasi dhunuan kryefamiljarin arritën të merrnin një shumë të konsiderueshme parash.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re