ÇANO NORA / Zhapokika është një fshat në Jug të vendit që njihet si një nga komunitetet e para që doli haptazi kundër regjimit komunist të instaluar menjëherë pas çlirimit të vendit. Rebelimi i banorëve të kësaj zone arriti deri te përballja me armë me forcat e Sigurimit dhe të Ushtrisë të qeverisë komuniste.

Ishte shtatori i vitit 1948 kur nisi lëvizja pa kthim për përmbysjen me çdo kusht e sakrificë të pushtetit popullor, duke shënuar kësisoj një ndër lëvizjet e forta antikomuniste në Jug me organizim të mirë, ideale të forta, betim para flamurit dhe vendosmëri kundër pushtetit komunist.

Ishte ajo ditë e vjeshtës të vitit 1948, kur në Zhapokikë shpërtheu revolta e një çete të vogël, por që do të bënte jehonë të madhe, jo vetëm në Tepelenë. Vendimi kishte qënë i prerë, çdo gjë ishte lidhur besa besë. Ishte ajo urrejtja e madhe e qindra e mijëra njerëzve të Jugut të Shqipërisë që bëri të mblidheshin aty për të marrë pjesë në kryengritje. Revolta e padëgjuar më parë bashkoi zemrat dhe pushkët jo në një kuvend burrash, por për një kryengritje të madhe kundër regjimit që po u merrte frymën. Qeveria e përjetonte si një goditje tronditëse.

Po binin kambanat për ndryshim, po binte një “tërmet” me epiqendër në Zhapokikë. Njëri ndër pjestarët e kësaj çete që bëri jehonë e emër në gjithë vendin, ishte dhe Haredin Sela nga Zhapokika e Tepelenës. Këtu në fshatin “Arshi Lengo”, rrëzë një kodre, fare afër me qytetin e Gjirokastrës, ku kalon vitet e pleqërisë së thellë, u takuam e kujtuam bashkë me të historinë e asaj ngjarjeje që bëri bujë e shënoi një tragjedi të jashtëzakonshme.

Burri që sa ka prekur shekullin, tregon se e ka parë nga afër atë gjëmë, sikundër ka qënë pjesë e atyre martirëve që nuk menduan veten, por idealin për t’i zënë rrugën revanshit të regjimit stalinist të Tiranës. Duke qenë nga të rrallët pjesmarrës në atë kryengritje që jeton ende, Haredini i kërrusur ca prej moshës dhe ca prej vuajtjeve e persekutimeve të regjimit, i rikthehet asaj ngjarjeje me detaje me një kujtesë për ta pasur zili.

***** 

Zoti Haredin, ju keni qënë një nga pjesmarrësit e kryengritjes së Zhapokikës, ju kujtohen rrethanat si nisi ajo?

Patjetër që më kujtohet. Ajo ishte nga ato ngjarje që nuk harrohet kurrë, jo vetëm për ne që ishim pjesë e asaj çete që dha shkëndinë, po dhe për mbarë banorët e zonave për rreth dhe jo vetëm. Fillimisht, u dha kushtrimi i çetës së famshme. U mblodhën njerëzit si rrufeja, se nuk duronin dot regjimin e asaj kohe dhe që ua kishte bërë jetën të vështirë. Jetonim nën zgjedhë, mor bir!

Të gjithë, nga i pari i çetës dhe deri tek i fundit donim të “vulosnim” përmbysjen e regjimit që na mori pronat dhe çdo gjë që kishim trashëguar nga të parët, s’na la të lirë dhe të jetonim jetën dhe të shihnim përpara. Këtu erdhën si era, nga Fieri, nga Berati, nga Tepelena dhe nga Delvina atje më në Jug. Të gjithë të vendosur, pa iu trembur syri dhe pa menduar se çfarë do të bëhej me ne më pas. Meqënse Zhapokika ishte qëndra ku shpërtheu e para, u pagëzua me emrin e saj edhe kryengritja.

Në ç’moshë ishit atëherë?

Nuk isha i vogël. Isha në moshë për të marrë vendime të rëndësishme për jetën. Kisha mbushur plot tridhjetë e tre vjeç në vjeshtën e 1948-s. Në sytë e mi shikoja që shumë gjëra duheshin ndryshuar. Shikoja botën të mbyllur në përfytyrimin tim me atë regjim që ishte. Nuk kalohej jeta me duartrokitje nëpër mitingje e me “urra”-të e fuqishme për partinë dhe Enverin. Isha i martuar dhe kisha dhe dy fëmijë të vegjël që kërkonin diell e frymëmarrje, ata duheshin rritur. Unë si shumë të tjerë, e shikoja që diçka duhej të lëviste e të ndryshonte, prandaj isha i vendosur plotësisht për t’iu bashkuar pjesëmarrësve të çetës së Zhapokikës.

Nuk e doja atë qeveri, s’më bënte goja të flisja mirë për të, kur nuk ishte e tillë, nuk e doja. Qeveri e zezë si zifti. Nuk të ngrohte dielli i saj kurrën e kurrës. Mbaj mend që njëherë nuk kisha paguar detyrimet në shtet. Erdhën më morën bereqetin nga hambari, më morën bukën e fëmijëve, më lanë pa ngrënë. Më ndihmuan ca të afërmit e mi. Prandaj, u ngrita në këmbë dhe i thashë komandantit të çetës, Barjam Kamberit: “Më prisni edhe mua. Jam gati qysh tani, se s’kam dashuri për këtë qeveri, por kam një mal me urrejtje për të”

Kishe njohje me komisarin e çetës?

Me Xhemal Brahimin, jo nuk kisha as gjak dhe as miqësi. Ai ishte nga Luftinja. Zhapokikën nga Luftinja e ndan vetëm një kodër. E njihja edhe më parë Xhemalin. E kisha shok të mirë, edhe pastaj na bashkoi edhe ideali.

Si u zbulua çeta nga Sigurimi i Shtetit?

Donim të rrëzonim qeverinë. Komisari ishte me shkollë dhe shumë gjëra i kuptonte më mirë se ne të tjerët. Ishte edhe “usta” i fjalës, por edhe trim dhe i dashur me njerëzit. Neve na fliste hapur, s’na mbante asgjë të fshehtë. E kuptonim që rruga që kishim nisur ishte për të mirën tonë dhe të fëmijëve tanë. Të përmbysnim regjimin e Enver Hoxhës e të merrnim frymë lirisht. Çeta po rritej nga dita në ditë. Ne e shikonim me sytë tanë, po kishte dhe vështirësi, nuk ishte aq e lehtë.

Sigurimi i Shtetit punonte dhe me sa dukej, dikë nga radhët tona e kishte blerë. E kishim të keqen brenda. Dikush na spiunoi dhe na zbuluan planin që kishim. Megjithatë, lëvizja duhej nisur patjetër dhe ashtu u bë. Ne shtëpinë e Xhemalit, në Luftinjë, erdhën edhe njerëz të lokalitetit të Buzit. Çdo vonesë tashmë e kërcënonte aksionin e çetës. Koha nuk premtonte të lidheshim edhe me grupet e tjera. Rrezikun e kishim fare pranë.

Që këtej nisi aksioni apo jo?

Plani pra, na ishte zbuluar. Nga Zhapokika duhej të iknim sa më parë, sepse e dinim që do ndiqeshim nga policia. Kishim ditë që kishim ikur nga shtëpitë. Ishim shpërndarë nëpër fshatra ku kishim gjak e miqësi të bënim sa më shumë me vete rreth çetës tonë. Sa isha kthyer nga Luftinja dhe te vendi i quajtur qafa e Kapllanit, gjeta rreth gjashtëdhjetë burra që bisedonin si në ikje e sipër, sepse koha nuk priste.

Në shpirtin e atyre burrave që nuk u trembej syri kishte urrejtje pa fund, të cilën nuk e mbanin dot brenda. Po përgatitej revolta që do të përshëndetej fuqishëm nga i gjithë Jugu dhe do të mbështetej nga qindra e mijëra vetë. Atë natë u zgjodh edhe një shtab që do të udhëhiqte çetën për të kryer detyrën.

Bajram Kamberi u zgjodh komandant, ishte djalë i lindur e rritur ne Zhapokikë. Zëvendëskomandant u zgjodh Memet Sela. U gjendëm në çdo fshat në Kamçisht, në Izvor, në Luftinjë, në Osmanzezë e fshatra të tjerë të Beratit, në Dukaj të Tepelenës deri më në Jug në Delvinë.

Ku u përleshët me forcat e ndjekjes dhe të policisë?

Ne u zbuluam nga forcat e ndjekjes dhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes, në Gllavë të Tepelenës. Ishte vjeshtë e vitit 1948. U rrethuam dhe u bënë luftime. Me ta ishte dhe policia. Për tri orë me radhë u përleshëm me ta. Ne ishim rreth 60 vetë, 27 nga fshati Zhapokikë. Në përleshje e sipër u vra zëvendëskomandaniti i çetës, Memet Sela, u vra dhe Velo Kaso nga Luftinja. Nga kundërshtari u vra një polic, si dhe u plagos një tjetër. Xhemal Brahimi, Bajram Kamberi dhe Sefer Sela e çanë rrethimin dhe nuk i kapën dot. Pas gjashtë muajsh, komandant Bajrami u kap dhe mori dënimin me pushkatim. Anëtarët e çetës u kapën më vonë edhe ata u dënuan me burgime, internime apo burgime të përjetshme.

Po ju si ratë në duart e policisë?

Mua, së bashku me disa të tjerë, na kapën dhe na lidhën me litarë. Ankth e tmerr te secili prej nesh për atë përleshje që ndodhi, por ishim edhe të vendosur për të vazhduar rrugën që kishim nisur. Nuk na trembej syri. Na dhimbseshin vetëm shokët që na u vranë. Se si do të vente filli ynë nuk e dinim. Vetëm një gjë ishte e sigurt që ne ramë në duart e policisë dhe forcave të ndjekjes dhe fundin tonë e mendonim se si do të vinte. Na priste i njëjti fat, si edhe i shokëve të tjerë.

Të lidhur na çuan me këmbë në Berat. Atje na mbajtën vetëm një natë. Një natë për ne e mbushur me tmerr e dhimbje për ata që na ranë në përleshje e sipër. Por prapë, nuk trembeshim sido që të veprohej me ne. Na dhanë edhe për të ngrënë, po si mund të hanim bukë të lidhur këmbë e duar siç ishim ne. Kishim dhimbje në zemër e në shpirt. Në mendje na vinin ditët që do të pasonin me vuajtje, me burgime, me internime. Rrugës ashtu siç isha i lidhur, një polic më qëlloi me shkelm dhe mu drejtua: “Ti më plagose mua. Do ta paguash me kokë, tani nuk shpëton dot”.

I hodha një sy nga këmba te koka dhe aty për aty nuk preferova t’i jap përgjigje. Polici më shikonte gjithë urrejtje dhe hera-herës kërciste nofullat. E kishte parë mirë plumbin që i kisha dhënë, po për fatin e tij vetëm sa e kishte gërvishur paksa mbi sup. Patjetër që të më vriste nuk kishte mëshirë, por nuk kishte urdhër nga eprorët e tij. Sidoqoftë, nuk duhej ta jepja veten para atij xhelati. Një moment, polici më drejtoi automatikun për të më friksuar. Një breshëri me plumba u derdhën në ajër, sepse polici tjetër ia ngriti grykën e automatikut me shpejtësi të rrufeshme. Shpëtova mirë, por prapë në dorë të tyre isha. Rrugës për në Degën e Punëve të Brendshme të Beratit, jetën e kishim në një fije peri.

 

Këtu fillon kalvari i vuajtjeve, dënimeve dhe persekutimeve për ju?

Më dënuan me burg, njëmijë e katërqind ditë plotë. Nga Berati më sollën në Gjirokastër, ku më bënë edhe gjyqin. Më dënuan me katër vjet burg. Dënimin e vuajta të gjithë kokërr më kokërr, nuk kishte falje për mua. Dhimbjet, torturat, kalvari i vuajtjeve nuk kishte të mbaruar. Për veten time nuk pyesja fare, s’më luante qerpiku, e kisha mbledhur mendjen top. Po përse të luhej me fatin e fëmijëve dhe të gruas sime, Eminesë. Vetë isha brenda në qelitë e ftohta e të errëta të komunizmit, por mendjen e kisha atje jashtë, në Zhapokikën time, në shtëpinë e vjetër që i ranë hallet e dertet me okë. Fëmijët i kisha fare të vegjël, djali, Kasua, ishte vetëm 4 vjeç dhe vajza vetëm dy vjeçe. Mua më dënuan se u ngrita me shokët në kryengritje, se donim sistemin ndryshe, donim regjim ndryshe, donim një jetë më të mirë. Unë vuaja brenda qelive, po vuanin edhe fëmijët brenda shtëpisë së vjetër.

Çfarë kujton nga peripecitë që kaloi gruaja juaj, Emineja, përpara hakmarrjes dhe sjelljes barbare të policisë?

Edhe pse unë e kisha marrë dënimin me burg, përsëri shtëpia ime atje në Zhapokikë, kërcënohej dhe qëndronte e rrethuar nga policia. Çdo lëvizje aty nuk shpëtonte dot nga sytë e atyre që përgjonin jashtë mureve. Ndërsa brenda shtëpisë kishte pllakosur varfëria, skamja, frika e pasiguria e jetës. Shpirti i bashkëshortes sime, Eminesë, ishte helmuar i tëri. Fëmijët e vegjël prisnin t’iu dilte i ati nga burgu, prisnin që edhe në familjen tonë të varfër të kishte liri e bukë për darkë.

Të rriteshin shpresat dhe ëndrrat për jetën, të merrnin frymë lirisht. Një natë kishte ardhur mike në shtëpi mbesa ime, Sherua. Shtëpia mbahej në ruajtje dhe kontrollohej se mos hynin e dilnin njerëz e miq të besuar e që kishin lidhje me ne. Nxinte jashtë e brenda shtëpia. Buzëqeshjet e fëmijëve të vegjël mungonin në atë vatër zhapokikase. Mbasi hëngrën darkën, Emineja së bashku me mbesën e ardhur mike në atë natë dolën për të siguruar bagëtitë në kasolle. Para portës së shtëpisë u ndeshën me breshërinë e plumbave që policët nuk i kursyen për të zonjën e shtëpisë, Eminenë. Ajo mori pesë plumba në këmbë.

Mbesa shpëtoi paq, por ajo pa tmerr me sytë e saj. Eminenë e çuan në Spitalin e Gjirokastrës. Asaj iu vu jeta në rrezik. Donin t’i prisnin edhe këmbën, por doktor Vasili i madh dhe Vasili i vogël i shpëtuan jetën. Ndërsa unë vuaja dënimin në qeli, shoqja ime, EmineJa, hiqte plumbat me dorë nga trupi i saj, ndërsa fëmijët katër e dyvjeçar e vinin kokën në jastëk pa pasur bukë për darkë, për të cilët kujdeseshin të afërmit dhe bashkëfshatarët e tyre.

A ndryshoi jeta juaj dhe e familjes pas daljes nga burgu?

Edhe kur dola nga burgu, përsëri më dukej vetja i dënuar. S’kishin të mbaruar kusuret për mua. Me vinin të afermit me droje se mos i shikonin të tjerët dhe u thoshin: “Ç’bëni kështu, Haredini është armik”. Më lanë pa trisk fronti një vit të tërë. As më vinte njeri të më shikonte derën e shtëpisë, vuajta shumë edhe pas daljes nga burgu. Këto ishin rrisqet që të ofronte ai sistem, ajo ishte jeta që ne bënim. Pa liri fjale, pa buzëqeshje, pa shpresa, pa ëndrra…

Tani që po i afroheni një shekulli, çfarë ka ndryshuar te Haredin Sela?

Tani jetojmë ndryshe unë dhe fëmijët e mi. Çdo gjë ka ndryshuar për mirë, kuptohet. Edhe pse jemi mirë dhe na vete buka në bark, përsëri kujtoj ato që kam hequr në burg, kujtoj vuajtjet, dënimet persekutimet e atij sistemi që lamë pas e mos ardhtë më kurrë. Shpirti e zemra time e dinë sa kamë vuajtur. Të më shpofsh trupin s’më del gjak, por dhimbje. Mos e pastë njeri fatin që kishim ne. Tani jetojmë ndryshe. Tani ia vlen ta jetosh këtë jetë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re