Është një periudhë qetësie për klubet, por jo për Antonio Conten, i cili së fundi është njoftuar se dy mbrojtësit titullarë të Interit të tij janë prekur nga koronavirusit dhe rrezikojnë të humbin jo vetëm derbin ndaj Milanit, por edhe ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve.

I pari që rezultoi pozitiv ishte Alessandro Bastoni nga grumbullimi me Italinë U21 dhe tashmë mbrojtësi është kthyer në shtëpinë e tij, ku po qëndron i izoluar, ndërsa mbrëmjen e djeshme u raportua pozitiv edhe Milan Skriniar.

Ky i fundit ndodhet në Sllovaki dhe sot i është nënshtruar një testi të dytë, ku nëse do të dalë sërish pozitiv, atëherë do të vihet në izolim dhe pritet të mos kthehet në Itali para se të mposhtë koronavirusin.

Kështu Conte do të mbetej me vetëm dy mbrojtës qendre si De Vrij e Ranocchia e dy të tjerë që mund të përshtaten si Kolarov e D’Ambrossio, për ndeshjen ndaj Milanit më 17 tetor dhe atë ndaj Borussia Monchengladbach më 21 tetor.

Për më tepër, aktualisht tekniku zikaltër ka vetëm 8 futbollistë në dispozicion, pasi pjesa tjetër pritet të rikthehen vetëm ditën e enjte, ndaj nuk i mbetet gjë tjetër veçse “të kryqëzojë gishtat” për të mos u përballur me të infektuar të tjerë apo të dëmtuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re