Motrat siriane 7 dhe 10 vjeçe Gazle dhe Kifah të cilat sigurojnë mbijetesën e familjes duke shitur prej vitesh pambuk sheqeri në rajonin Bab në veri të Sirisë, jetojnë me ëndrrën për ditën kur do të mund të ulen në bankat e shkollës.

Sipas Fondit të Emergjencës të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), si pasojë e luftës 10 vjeçare në Siri 2.4 milionë fëmijë brenda vendit dhe 750 mijë fëmijë jashtë vendit nuk mund të shkojnë në shkollë. Në Siri rreth 6.1 milionë fëmijë kanë nevojë për ndihmë ndërsa rreth 2.6 milionë fëmijë janë zhvendosur brenda vendit duke migruar bashkë me familjet e tyre.

Përderisa bashkëmoshatarët e tyre në shumë vende të botës rriten me përralla dhe tregime të pambuk sheqerit, motrat siriane Gazla Hamsho (7) dhe Kifah Hamsho (10) në rajonin Bab në veri të Sirisë shesin pambuk sheqeri për të siguruar të ardhura për familjen e tyre.

Familja Hamsho, pas pushtimit të rajonit Bab nga organizata terroriste DEASH në vitin 2014, migroi në qendrën e qytetit Halep, në dhjetor 2016 në pjesën perëndimore të Halepit dhe në vitin 2017 u rikthye sërish në rajonin Bab.

Kifah dhe motra e saj më e vogël Gazle kanë marrë përsipër sigurimin e mbijetesës së familjes së tyre për shkak se babai i tyre 38-vjeç Sayit Hamsho ka mbetur me aftësi të kufizuara si pasojë e një aksidenti në punë.

Me karrocën e dorës që përdor me krahët e vegjël, Kifah pjesën më të madhe të ditës së saj e kalon duke shitur pambuk sheqeri për bashkëmoshatarët e saj përpara një parku të lodrave.

Kifah, emri i të cilës ka kuptimin “luftë” dhe e cila ka të njëjtën moshë me luftën e brendshme në Siri, ëndrrën më të madhe e ka të shkojë në shkollë.

“Dëshiroj të vesh uniformën shkollore dhe të shkoj në shkollë”

Për gazetarin e AA-së, Kifah tha se “Jam 10 vjeçe. Prej 4 vitesh në qytetin Bab shes pambuk sheqeri për të ndihmuar nënën dhe babanë tim. Babai ka probleme me shpinën. Kam shumë frikë nga zhurma e bombave, avionëve dhe armëve”.

Duke vënë theksin se dëshiron të bëhet mësuese kur të rritet, Kifah tha: “Ashtu si fëmijët e tjerë dëshiroj të zgjohem në mëngjes, të vesh uniformën shkollore dhe të shkoj në shkollë. Uroj që të mësoj të lexoj dhe shkruaj”.

Ajo bëri të ditur se shet në qendër të qytetit sheqer pambukun që babai i saj me aftësi të kufizuara përgatit në shtëpi. “Fitimi ditor në shitjen e sheqer pambukut ndryshon. Ndonjëherë fitoj 5.000 lira siriane (rreth 1.1 euro) dhe ndonjëherë 6.000 lira siriane (rreth 1.5 euro)”, shtoi Kifah.

Po ashtu në shkollë dëshiron të shkojë edhe vajza e vogël Gazle Hamsho e cila e ka kaluar jetën duke migruar dhe në varfëri.

Babai Sacid Hamsho i cili është me aftësi të kufizuara pasi është lënduar në bel si pasojë e një aksidenti në punë, tha se fëmijët e tij sigurojnë të ardhura për mbijetesën e familjes.

“Dëshira ime e vetme është që në mëngjes kur zgjohem të shikoj fëmijët e mi që marrin librat dhe çantat e tyre për të shkuar në shkollë në vend të karrocës së dorës për të shitur sheqer pambuku”, tha babai Hamsho.

Duke shprehur ankesa për jetesën e shtrenjtë që ka lindur si pasojë e luftës së brendshme në Siri, Hamsho tha se përjetojnë probleme në sigurimin e jetesës së tyre.