Skip to content

Dy plagosje me thikë në Fushë-Krujë, dy ngjarje të ndara brenda pak orësh, një person në pranga dhe dy në kërkim

1789589753 policia

Dy persona kanë mbetur të plagosur me thikë në Fushë-Krujë, në dy ngjarje të ndara, të cilat kanë ndodhur në rrethana të ndryshme. Një prej konflikteve ka përfunduar me arrestimin e një 49-vjeçari, ndërsa për ngjarjen tjetër policia ka shpallur në kërkim dy vëllezër.

Ngjarja e parë ka ndodhur në një lokal, ku pas një konflikti të çastit mes dy personave është plagosur me thikë Aurel Doda. Si autor i dyshuar është arrestuar Shkëlqim Curaj, 49 vjeç, i cili dyshohet se në momentin e ngjarjes ndodhej nën efektin e alkoolit.

Ndërkohë, plagosja e dytë është regjistruar në afërsi të Urës së Gjolës. Fillimisht, dy mjete janë përplasur me njëri-tjetrin, ndërsa drejtues të tyre ishin Donald Caca dhe Ardjan Xheka. Pas përplasjes, mes palëve ka nisur një debat që ka agravuar në konflikt fizik. Gjatë sherrit, Ardjan Xheka është goditur me thikë dhe është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmë mjekësore.

Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar dy vëllezërit Donald dhe Halil Caca. Sipas të dhënave paraprake, konflikti mes tyre dyshohet se ka qenë i hershëm. Policia po punon për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të të dyja ngjarjeve.