Peshkopia është një nga qytetet më të rëndësishme në verilindje të Shqipërisë dhe një nga nyejt kryesore të lëvizjes përsa i përket pozitës gjeografike, pasi është kthyer edhe në qendrën e turizmit malor. Tashmë kryeqendra e qarkut Dibër nuk është e famshme vetëm për malin më të lartë në Shqipëri dhe destinacionet turistike, por prej kohësh është kthyer në qendër të vëmendjes për shkak të skandalit të vjedhjes së votave, abuzimet dhe vonesat me rrugën e Arbrit, si edhe korrupsionin që “dremit” në bashki.

Kjo e fundit ka një impakt të drejtpërdrejt në jetën sociale të qytetit, pasi shpeshherë skandalet me abuzimin e fondeve publike gërshetohen me skandalet seksuale në administratën publike, skandale të cilat pengojnë zhvillimin e zonës. Kjo bashki ka qenë në qendër të betejës elektorale midis partive politike, sepse rezultatet në këtë zonë kanë pasur impakt të drejtpërdrejtë te zgjedhjet e parlamentare të 2017 dhe 2021, pasi ka qenë një zonë, që ka prodhuar rezultate zgjedhore surprizë. Në këtë episod, “Vetting” do të trajtojë abuzimet dhe keqpërdorimin e parave publike nga Bashkia Dibër, ku evidentohen probleme që ndikojnë jo vetëm tek infrastruktura e qytetit, por edhe tek imazhi i tij.

Në mjegullën që mbulon prapaskenën e marrëveshjeve korruptive pleksen interesat e zyrtarëve të lartë me të njëjtat kompani që janë nën hetim nga SPAK, por kanë lidhje familjare me pushtetin qendror. Si gjithmonë, në qendër të grabitjes janë paratë publike, para që dalin nga xhepat e qytetarit shqiptar për t’u ofruar shërbime, para që nuk janë pronë e zyrtarëve të bashkisë apo kompanive private, por duhet të menaxhohen nga ata që janë punësuar për t’i shërbyer taksapaguesit shqiptar. Këto taksa merren çdo vit nga puna e banorëve të kësaj zone, për t’u plotësuar kërkesat sociale dhe ekonomike, që nuk po përkthehen në shërbime për qytetarin, por gjejnë rrugën te xhepat e disa individëve që shkelin ligjin. Janë këta banorë, që denoncuan shkeljet e bashkisë, ku “Vetting” mori indiciet për të kryer një investigim, që tregon rrugën e fondeve publike që janë akorduar nga buxheti i shtetit deri te shpërndarja e tyre te bashkitë dhe zbatimi i projektit nga kompanitë private.

Të dyja fondet shkuan te kompania që u favorizua nga bashkia. Zanafilla lidhet me projektet e qeverisë shqiptare për t’u dhënë zhvillim këtyre zonave, që kanë potencial të lartë zhvillimi në bashkëpunim me Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve. Këto investime kanë qenë pjesë e programit të qeverisë për “Rilindjen Urbane”, investime të cilat përfunduan te kompanitë pranë oborrit qeveritar. Agron Haxhimali, drejtor ekskluziv i Institut të Bashkive: “Rilindja urbane ishte një projekt, që për hir të së vërtetës u ka konsumuar taksapagueseve shqiptarë 2.2 milionë euro, që për një ekonomi si e jona është humbje jashtëzakonisht e madhe. Nëse do të ishin përdorur siç duhet këto para, do të kishte pasur një ndikim pozitiv në jetën e çdo qytetari, për fatin e keq nuk arriti ta ketë këtë lloj impakti”.

Më 4 shkurt 2016, Qeveria miratoi vendimin nr. 1 për përcaktimin e buxhetit e të drejtimeve me rëndësi për zhvillimin e rajoneve në vitin 2016 për fondin me vlerë 9 miliardë lekë, ose rreth 65 milionë euro me kursin e këmbimit të asaj kohe. Nga ky projekt, 35% e fondit ose rreth 23 milionë euro do të shkonin për rivitalizimin e hapësirave publike, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Rrugës vlera e këtij projekti do të pësonte disa ndryshime, të cilat do të merrnin formë përfundimtare me vendimin nr. 10, datë 10.3.2016, që iu la për zbatim Sekretariatit të Përgjithshëm në Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve. Në vendimin e fundit, vlera e këtij programi është zmadhuar me rreth 6.5 milionë euro vetëm për investimet e parashikuara në vitin 2016 pasi këto investime janë të ndara në periudha. Nga këto fonde, dy projekte u miratuan për Bashkinë Dibër, “Përmirësimi i Infrastrukturës vendore dhe Rivitalizimi i Hapësirave Publike ne Zonën pranë Pallatit te Kulturës” dhe projekti “Rinovim i infrastrukturës së bulevardit Elez Isufi, rrugës Safet Zhulali dhe rrugës së Muzeut” me vlerë totale 2.3 milionë euro, të dyja të fituara nga kompania “Alko-Impex General Construction” shpk.

Por ende pa kaluar shumë kohë nga ndërtimi i bulevardit “Elez Isufi”, pllakat e vendosura kanë nisur të shkatërrohen. Banorët e Peshkopisë ankohen se punimet janë bërë pa cilësi, gjatë dimrit këto pllaka guri bëhen të rrezikshme për shkak të ngricave, dëborës dhe reshjeve të shiut. Qytetari thotë: “Punimet nuk janë bërë mirë. Kur bëhet akull, kur bie dëborë disa herë jemi rrëzuar këtu tek sheshi. Punimet janë bërë pa cilësi. Kur bie dëborë dhe bëhet akull, ne disa herë kemi rrëshqitur duke rënë mbi pllakate gurit. Një tjetër qytetar shprehet se “materiali ishte i dobët dhe për këtë arsyeje u prish. Qytetari: “Vendosën material të dobët dhe u prish”. Ky projekt nisi në vitin 2016, kohë në të cilën kjo bashki drejtohej nga ishkryebashkiaku Shukri Xhelili. Investimi i nisur nga Xhelili vijoi me Muharrem Ramën, që u zgjodh në zgjedhjet e pjesshme të 11 gushtit 2016. Sipas banorëve, ky investim ka përfunduar para një viti. Gurët dekorativë për ndërtimin e këtij sheshi ishin marrë nga Mali i Tumorit, por mesa duket vrulli për vendosjen e tyre, por edhe klima e Dibrës kanë bërë që ky investim të prishej shumë shpejt.

Sipas një tjetër qytetari, shkak i prishjes së bulevardit kanë qenë edhe “temperaturat dhe guri i cili ka ardhur nga një vend tjetër. Po të kishte qenë guri i kuq që ka zona, me siguri investimi do i kishte rezistuar më gjatë shkatërrimit”. Enea Stavre arkitekt: “Për sa u përket pjesëve që gurët dalin nga vendi, po përdor një zhargon rrugor, ndodh nga mungesa e drenazhit, materialet e instalimit të gurëve është në manualet e projektimit themi që në temperatura të ulëta nga zero në 8 gradë celsius nuk instalohet beton dhe llaç, kjo është një nga arsyet kryesore që mund të ketë ndodhur në shumë vende sepse këto gurë janë instaluar në periudhat dhjetor-janar, në këto dy muaj firmat e ndërtimit në Republikën e Shqipërisë duhet të bëjnë pushim në këtë periudhë të dimrit”. Qytetari: “Nuk ka as tre-katër vjet që është ndërtuar. Nuk e dimë sesi, por shikojeni si është bërë. E ndërtuan tani po e prishin përsëri”. Pas ankesave të qytetarëve të Dibrës, të cilët kontaktuan emisionin “Vetting”, gazetarët udhëtuan drejt qytetit të Peshkopisë. Banorët shprehen se ky shesh është i mbushur me gropa dhe duhet të jenë të kujdesshëm sa herë që kalojnë.

Qytetari: “Në rastin e Bulevardit të Peshkopisë, nga spresori ose nga lartësia e gurëve, që në rastin tonë që janë përdorur në një shtresë 3-4 centimetra, dëmtohet nga automjete të tonazhit të ulët, pra nuk flasim për automjete të tonazhit të lartë dhe kjo është një nga arsyet kryesore që ka ndodhur thërrmimi, thyerja e gurëve”.

SHKAQET E DEGRADIMIT TË SHESHIT “ELEZ ISUFI”

Sipas inxhinierit të ndërtimit, Ilir Krosi, projekti i vitit 2016 ka qenë i pastudiuar mirë dhe cilësia e punimeve dhe materialeve nuk ka qenë brenda standardeve. Përgjegjësi për këtë ka jo vetëm firma, e cila ka kryer punimet me materiale jocilësore, por edhe Bashkia dhe institucionet përgjegjëse që merren me kontrollin e këtyre.

“Projekt i dobët, cilësia e dobët e punimeve, cilësia e dobët e materialeve, kontrolli i dobët i cilësisë së punimeve, kontrolli i dobët i fazave të marrjes në dorë të punimeve, certifikimi i materialeve realisht. Janë një kompleks rrethanash dhe faktorësh që kanë sjellë dështim të këtij projekti”, – tha inxhinier Ilir Krosi.

Madje banorët ngrenë një tjetër shqetësim, teksa shprehen se në momentin që është bërë dëgjesa për këtë investim, ky projekt është kundërshtuar nga ata, por Bashkia nuk ka marrë parasysh pretendimet e tyre. Peshkopia është një qytet i ftohtë, temperaturat gjatë dimrit arrijnë në minus dhe për pasojë ka prani të akullit në të shumtën e rasteve në sheshin “Elez Isufi” ku edhe është kryer investimi. Qytetari u shpreh se, “e shikon këtë që është bërë këtu? E kam kundërshtuar. Nuk vihen këto pllaka këtu, temperaturat shkojnë deri në minus 20 gradë celsius, po ta çimentosh nuk futet asnjë pikë uji, atje mbetet lagështira. Dëbora shkrin një javë deri në dhjetë ditë mbrapa në bulevard, akull”. Qytetarët pretendojnë se i kanë bërë sugjerime kryetarit të Bashkisë Dibër dhe kryeinxhinierit të këtij institucioni ta bënin bulevardin me asfalt ose tulla, por kërkesa e tyre ka rënë në vesh të “shurdhët”. Qytetari: “I kam bërë sugjerime kryetarit të bashkisë dhe inxhinierit që ka bashkia, që mos i hidhni llaç në mes të pllakave, por ngriheni, bëjeni njësh, një masiv dhe nuk e depërton ujin, nuk e thith ujin. Mund ta bënin me asfalt ose tulla mozaik dhe dilte tamam, por nuk na dëgjoi”. Shkeljet e garës së tenderit për përzgjedhjen e kompanisë fituese. Projekti që nisi në vitin 2016 dhe përfundoi para një viti është financuar nga buxheti i shtetit dhe është zbatuar nga Bashkia e Dibrës. Lidhja e kontratës është bërë më 29 gusht të vitit 2016 dhe koha për përfundimin e punimeve ishte 75 ditë.

POR SI U ZHVILLUA GARA?

Më 20 maj 2016 Bashkia e Dibrës hapi thirrjen për tenderin “Rinovim i infrastrukturës së bulevardit ‘Elez Isufi’, rrugës ‘Safet Zhulali’ dhe rrugës së ‘Muzeut’” me fond limit 92 milionë lekë ose 671 mijë euro. Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se punimet për tenderin me vlerën rreth 700 mijë euro nuk kanë përfunduar në kohën që ishte projektuar, duke shkelur afatet. Por, kush ishte kryebashkiaku që miratoi këtë projekt? Në atë kohë Bashkia Dibër drejtohej nga ish-kryebashkiaku Shukri Xhelili, i cili përveç faturave të shtrenjta për bulevardin “Elez Isufi”, mbahet mend edhe për video seksuale të xhiruar në zyrën e tij.

Skandali u publikua në mediat shqiptare në maj 2016, ku Xhelili shfaqej duke i ofruar një vend pune një vajze në këmbim të favoreve seksuale. Pas transmetimit të këtij video skandali, Xhelili u shkarkua menjëherë nga kryeministri Edi Rama. Fillimisht Xhelili u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë Dibër për “korrupsion pasiv” me 2 vjet e 8 muaj burg, por më pas Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda e ndryshoi akuzën dhe i uli dënimin me 1 vit burg, si edhe iu hoq e drejta për të ushtrimin e funksioneve publike për 5 vite. Në vitin 2016 oferta për shtrimin me pllaka guri të bulevardit “Elez Isufi” ishte 635 mijë euro dhe fitoi kompania me ofertë më të madhe nga kompanitë e tjera. Në garën për të fituar tenderin morën pjesë 7 kompani mes tyre edhe “ALKOIMPEX General Construction” me administrator Arbër Abazin. “ALKO-IMPEX General Construction” do të shpallej fitues me ofertë 635 mijë euro.

Por kompanitë që morën pjesë në tender bënë ankesa pasi sipas tyre rezulton se gara për rinovimin e Bulevardit “Elez Isufi” u fitua nga oferta më e lartë, ndërsa ata kishin ofruar ofertë më të ulët. Ka qenë konsorciumi i kompanive “Shëndelli” shpk & “Boshnjaku B” shpk, & “Caushi” Shpk & “Pesë vëllezërit” shpk, me përfaqësues Bashkim Dullën që kanë bërë ankesë për të marrë vesh arsyet se pse nuk është publikuar njoftimi i fituesit. Sipas përfaqësuesit të këtyre kompanive, ata kanë paraqitur ofertën e vetme të vlefshme, pasi i plotëson të gjitha kriteret dhe është e mbështetur edhe në vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Për shkak të dyshimeve për manipulimin e garës, ky bashkim operatorësh ka deklaruar se do të njoftonte zyrën e Antikorrupsionit pranë Kryeministrisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri si edhe mediat në lidhje me këtë çështje. Në mbyllje të deklaratës, përfaqësuesi i kompanisë “Dulla” priste përgjigje brenda afateve dhe shpresonte që institucioni të mos shkelte ligjin.

KLSH KONSTATOI SHKELJET

Pas kërkesës nga kompania “BOSHNJAKU B.” shpk, Bashkia Dibër e drejtuar nga Hatem Fida përgjigjet se në datën 3 qershor 2016, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave kishte përfunduar procesin e vlerësimit të ofertave për kompanitë pjesëmarrëse në tender, duke mos marrë për bazë asnjë pretendim të konkurrentëve. Nga muaji korrik 2014 deri në muajin shkurt 2016, “ALKO-IMPEX General Construction” rezulton se nuk e plotësonte kriterin, pasi duhej të kishte 150 punonjës. Një nga kriteret e tjera ishte, që stafi teknik duhet të kishte të punësuar për të gjithë periudhën dhe të kishte paguar me listë pagesat e paraqitura nga kompania.

Por mosanulimi i garës dhe shpallja fitues e “ALKO-IMPEX General Construction” nën drejtimin e Arbër Abazit, pavarësisht se nuk plotësonte kriteret e përcaktuara në Dokumentet Standarde të Tenderit, si dhe nga shkualifikimi i bashkimi i ofertave i përbërë nga tri kompani, me ofertë më të favorshme ekonomike me vlerë 490 mijë euro, ka pasur pasoja negative për buxhetin. Audituesit nxorën në pah se në tenderin e bulevardit, “Rinovim i infrastrukturës së bulevardit “Elez Isufi”, rrugës “Safet Zhulali” dhe rrugës së “Muzeut” nuk është vendosur material parafabrikat, por me mur tulle dhe pa respektuar përmasat e përcaktuara në projekt.

Sipas arkitektit Enea Stavre, projektet për sheshet e qyteteve dështojnë për shkak të mangësive të projektimit dhe kolaudimit të veprës pa marrë parasysh moszbatimin cilësisë së punimeve. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, në librin e masave paraqiten me detaje investimet e kryera nga firma fituese dhe shkeljet e kryera. Nga verifikimet e projektit rezulton se nuk janë vendosur zgavra metalike me diametër 8 mm, por hekur me diametër 4 mm. Mangësi dhe probleme me zbatimin paraqesin edhe punimet për shtresa pllakë me gur të verdhë dhe gri. Nga verifikimi i projektit në terren, rezulton se trashësia e pllakës së gurit të vendosur nuk e kalon 5 cm, ndërsa në projekt trashësia e pllakës është 8 cm. Duke kryer llogaritë zbulohet nga kompani që ka kryer punimet, në këtë rast janë përfituar 613 mijë euro. Në këtë rast ngarkohet me përgjegjësi edhe mbikëqyrësi dhe kolaudatori i këtyre punimeve.

DENONCIMI NGA OPOZITA

Teksa shkeljet e evidentuara nga institucionet audituese dhe banorët zbulojnë dëme financiare për buxhetin dhe për infrastrukturën e sheshit, e gjithë vëmendja ndalet te kompania që ka lidhur kontratën për të kryer punimet. Asokohe Partia Demokratike akuzoi qeverinë përmes deputetes Ina Zhupa se tenderat ia kishte dhënë nipit të deputetit të Partisë Socialiste, Sadri Abazi. Kompania “Alko Impex General Construksion” është themeluar në vitin 2009 dhe është degë e kompanisë Alko Impex në Kosovë, e cila është themeluar në vitin 2004. Kompania është në pronësi të biznesmenit nga Kosova Imer Ademi dhe si administrator ka Arbër Abazin, nipi i ish-deputetit Sadri Abazi. Nga të dhënat e siguruara nga Open Data Albania, kjo shoqëri ka marrë miliona euro nga fondet publike kryesisht në sektorin e infrastrukturës në ndërtimin e rrugëve, por edhe nga bashkitë. Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, akuzoi deputetin socialist Sadri Abazin se kompania ishte favorizuar nga qeveria për të fituar tenderin.

Deputetja e Partisë Demokratike ngrinte akuza sepse nga gara u shkualifikuan dy kompani që ofruan 200 mijë euro më pak se kompania e deputetit socialist. Denoncimit të Partisë Demokratike i është bashkangjitur edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili në vitin 2018 ka denoncuar në Prokurorinë e Dibrës, ish kryetarin e bashkisë Hatem Fida dhe 4 drejtues të tjerë që kanë qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë e Dibrës. Në raport u gjetën shkelje në tenderin e bulevardit “Elez Isufi”, por edhe të tenderit tjetër për infrastrukturën dhe rregullimin e hapësirave te Pallati i Kulturës në Peshkopi. Sipas auditueseve, për tenderin e bulevardit “Alko-Impex General Construction” është shpallur fitues në shkelje të ligjit sepse ka mungesa të theksuara në dokumentacion.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re