Nga: Alban Gorishti

Në mëhallën tonë ishte një çift bashkëshortësh, ku burri konsumonte shumë alkool, dhe shpesh gruaja i kërkonte llogari per lekët e prishura gjatë këtij “hobi” që ai kishte. Ndërsa burri e mbante gjithnjë me shpresa duke i thënë “mos u mërzit muajin tjetër do të të vijnë melonat”me atë gjuhën e tij popullore, domethënë lekët. Tani le te shkëputemi pak nga konteksti ne fjalë, per t’iu rikthyer më pas.

Realitet janë dy ato që ndodhen te njerëzit dhe ato që ndodhen te Allahu. Ka disa njerëz që gjykojnë sipas standarteve personale apo shoqërore për realitetet tek Allahu. Përshembull thonë vdiq filani sepse bëri kështu e ashtu apo fitoi filani pasi kishte këtë apo atë meritë apo pasuri, e kështu futen në nje sferë që nuk i takon ndonjë vendim apo qëndrim në të, atë të standarteve të realiteteve përtej të dukshmes,pra ato që ndodhen te Allahu.

Ndërsa te Ai realitetet pas këtyre ndodhive jane tërësisht të ndryshme nga pohimet e tyre. Ndaj edhe profeti alejhi selam tha :Dielli dhe hëna janë nga argumentet e Allahut, ndaj ato nuk zihen(eklips) për vdekjen e dikujt apo për lindjen e dikujt tjetër”. Ngjashëm mundet te themi edhe për disa dukuri sociale, siç mundet të jetë temat e dashurisë apo lidhjeve farefisnore. Mëkat dhe turp në thelb është ajo që është te Allahu dhe jo te njerëzit. Edhe pse sheriati e pranon me limite traditën sociale dhe zakonet te njerëzit. Por përsëri ato nuk mundet të përcaktojnë në mënyrë definitive se çfarë është turp, mëkat, apo realitet i keq social, pasi të vërtetat (hakaik) janë ato sipas standardit hyjnor. Allahu thotë:Mos thoni me gjuhët tuaja kjo është hallall apo haram”.

Përshembull në këtë kontekst kemi martesën e profetit alejhi selam me Zejneben, histori që përcillet edhe në Kuran, pasi kjo e fundit ishte martuar fillimisht me djalin e adoptuar të profetit alejhi selam i cili ishte një rob i liruar prej profetit ndërsa Zejnebja ishte prej zonjave të kurejshve. E Allahu mbi shtatë qiej e miratoi këtë martesë edhe pse Muhamedi alejhi selam i frikësohej traditave arabe të asaj kohe të cilat nuk e pranonin një martesë të tillë. Por Allahu e vendosi këtë martesë për të treguar se djali i adoptuar nuk është si djali i vërtetë ndaj Zoti deshi ta çrrënjoste këtë traditë. Realisht e solla tërë këtë diskurs për ta lidhur gjithmonë me çiftin e mësipërm të bashkëshortëve te cilët realisht duhet të ishin divorcuar me kohë por mentaliteti dhe zakoni i mbante lidhur nën një kurorë aspak normale, e kështu kjo ndikoi tej mase edhe te fëmijët përgjatë rritjes së tyre me një çift që çfarë nuk i thoshin njëri tjetrit. Ndaj edhe pse i dhimbshëm divorci i tyre në rastin konkret do të kishte qenë një realitet i përligjur edhe nga feja, dhe ndoshta do të kishte kursyer shumë keq konceptime psikologjike te fëmijët në rastin konkret por edhe vet atyre . Pasi ajo që është turp te njerëzit nuk është te vet burimi i turpit, Allahu, ndërsa disa vdektarë duan të bëhen më të turpshëm sesa vet Ai duke prodhuar kosto që kanë për ta shoqëruar njeriun përgjatë rritjes dhe edukimit të vet. Ndaj mos i ngatërroni standartet njerëzore me ato hyjnore, pasi realitetet tek njeriu përfshin vetëm mëhallën e vet ndërsa te Allahu përfshin globin, kohët dhe përtejmaterien.

Për këtë mjafton t’ju kujtoj ajetin e sures Mulk “Ai është i cili krijoi jetën dhe vdekjen (pra dy realitete) që t’iu sprovojë ju se cili prej jush do të jetë më punë mirë”, pra dy realitete vërtetësisë e të cilave janë të ndryshme nga njëra tjetra, pasi në jetën e përtejme njeriu do të shpërblehet për ruajtjen nga ato gjëra që janë turp te Allahu, ndërsa ato janë universalitete si, Ortak vënia ndaj Allahut, keqtrajtimi i prindit, imoraliteti, vrasja, vjedhja etj etj.

Besoj dhe jam i bindur që realitete më të vlefshme janë ato të cilat prodhojnë stabilitet dhe siguri emocionale, e nëse një njeri rritet qoftë edhe me 1 prind por më shumë më tepër siguri emocionale atëherë ai nesër do të jetë një individ i pa dëmshëm madje i dobishëm për shoqërinë, e në të kundërt emocionaliteti i pakontrolluar prodhon situata të pakontrolluara madje luftra, e këto të fundit shkojnë kundër qëllimeve dhe realiteteve hyjnore.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re