Berati ka shënuar 5 raste të reja me Covid-19 në 24 orët e fundit. Në këtë mënyrë shkon në 21 numri i rasteve me persona të infektuar në Berat.

 Vetëm njëri prej rasteve të sotëm është kontakt i rasteve të mëparshme, ndërkohë që 4 rastet e tjera janë raste të reja.

Mes të infektuarve janë edhe 2 punonjës (një burrë dhe një grua) të Drejtorisë së Shëndetit Publik Berat që ende nuk dihet se nga kush janë infektuar dhe një çift të moshuarish që ishin të shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë dhe aty rezultuan të prekur me Coronavirus.

 Nga pesë rastet e sotme,4 raste janë brenda në qytetin e Beratit dhe 1 rast është në fshatin Karkanjoz. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë kryer 28 tampone në stafin e Drejtorisë së Shëndetit Publik Berat,pas konfirmimit “pozitivë” te punonjësit të policisë,bashkëshortja e të cilit punonte në këtë drejtori.

Pas testimeve,bashkëshortja e efektivit të policisë ka rezultuar “negative”,nderkohë që të infektuar kanë rezultuar 2 punonjës të tjerë (një burrë dhe një grua).

Mjekët epidemiologë të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik Berat,menjëherë pas konfirmimit të 5 rasteve të reja,dy prej tē cilëve brenda drejtorisë së tyre,janë duke kryer hetimin epidemiologjik për gjurmimin e kontakteve.

Rastet e sotme me Covid-19 që i përkasin 2 punonjësve të DSHP-së Berat,kanë vënë në alarm të gjithë drejtorinë,ku është kryer dezinfektimi i plotë i çdo ambjenti të saj sikurse eshte bërë e njëjta gjë edhe me banesat e tjera në qytet dhe fshatin Karkanjoz.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re