Në emisionin e sotëm të Fiks Fare u trajtua një ngjarje aspak e kendshme që i ka ndodhur çiftit Mujo nga fshati Pirg i Korçës, të cilët marrin rrugën nga Kanadaja për pensionin që u ka përvetësuar arkëtarja e postës në vitin 2016. Pas tre vitesh sorollatje dhe pritjesh, me interesimin e Fiks Fare, drejtori i ri i postës urdhëron kryerjen e pagesës për pensionistët.
Në fillim Kostaqe Mujo iu drejtua Fiks Fare pasi prej tre vitesh nuk po arrinte të merrte parat e saj të pensionit.
E moshuara shprehet se ajo dhe bashkëshorti i saj prej disa vitesh
jetojnë në Kanada , por që nga muaji korrik është detyruar të jetojë në
një shtëpi me qira në Pogradec që të mund të zgjidhte problemin e
marrjes së pensionit. Ata tregojnë se janë sorollatur nëpër institucione
pa marrë asnjë përgjigje. pas tre vitesh çështja është në gjykatë dhe
seancat nuk kanë të mbaruar.
“Njëherë nuk paraqitet ish arkëtarja Aleksandra, njëherë mungon prokurori e kështu edhe gjyqet nuk kanë të mbaruar.
Unë dua vetëm lekët e mia” shprehet zonja Mujo.
Në fshatin Pirg ku çifti i të moshuarve merrte pensionin para tre
vitesh , arkëtarja e postës me emrin Aleksandra u ka përvetësuar të dyve
lekët e 6 muajve pension. Çështjen e hetoi prokuroria e më pas ajo ka
shkuar për gjykim në gjykatë ku ende nuk është marrë vendim.
Gazetarët e Fiksit shoqëruan zonjën Mujo në postën e Pirgut për të
pyetur se ku dhe kur do i marrë parat e saja të cilat në mënyrë të
padrejtë i janë përvetësuar nga arkëtarja. Një nga punonjësit e kësaj
dege i shpjegon se përderisa çështja është ende në gjykim, nuk ka kush
t’ia jap lekët.
Madje ai pohon se edhe pse është thirrur të dëshmojë nuk do të
paraqitet në seancën e gjyqit, pasi ai nuk ka lidhje me përvetësimin e
pareve, madje qartazi nxjerrë se ato i ka vjedhur kolegia e tij
Aleksandra. Edhe në postën qendrore në Korçë ish drejtori i saj i cili
dikur kërkesat e çiftit i linte të “flinin” në sirtarë, e pranon se
lekët janë vjedhur nga arkëtarja . Ai i kërkon që zonja Mujo t’i marrë
një shkresë prokurorisë ku të thuhet se nga hetimet ka rezultuar që
lekët janë përvetësuar nga arkëtarja e postës. ” Merr këtë shkresën
njëherë se drejtori nuk do t’i jap lekët nga xhepi ty” shprehet ai.
Qytetarja takon edhe prokurorin e çështjes Juli Kristo i cili e
pranon që seancat po zgjaten, por që të gjitha shtyrjet e gjyqit janë të
justifikuara pranë gjykatës. “Edhe po ndërruat ju jetë, gjyqi do të
vazhdojë” shprehet prokurori. Kur zonja i kërkon një dokument që ta
paraqes në postë për të marrë lekët, prokurori nuk pranon t’ia jap. ”
Duhet të presim deri sa të shprehet gjykata” përfundon Kristo.
Në këto kushte Kostaqe Mujo së bashku me gazetarët e Fiks Fare i
drejtohen drejtorit të ri të Postës Korçë , Valter Gora. Ky i fundit
pohon se që s’ka patur dijeni për rastin. Ai menjëherë urdhëron të
merren masa për personin që ka përcjellë të moshuarën dhe urdhëron t’i
shlyhen muajt që janë përvetësuar nga arkëtarja. Ai falënderon Fiksin që
e vuri në dijeni. Ndërsa për ish drejtorin, aktualisht shef i
personelit, që vazhdonte të sorollaste të moshuarit merret masë me ulje
në detyrë, duke u emëruar shef i postierëve.
Pas tre vitesh më në fund çifti Mujo marrin lekët dhe falënderojnë emisionin Fiks Fare për zgjidhjen e problemit.