Është si një dramë e vazhdueshme që ndodh në mendjet tona, një komplot filmik midis dy personazheve kryesore me konflikte dhe tensione. Këto dy personazhe janë Sistemi 1 impulsiv, automatik, intuitiv, dhe Sistemi 2 llogaritës i avashtë, i qëllimshëm, i matur.

Ndërsa ata luajnë kundër njëri-tjetrit, ndërveprimet e tyre përcaktojnë mënyrën se si mendojmë, gjykojmë, marrim vendime dhe veprojmë.

Sistemi 1 është pjesa e trurit tonë që funksionon në mënyrë intuitive dhe befas, shpesh pa kontrollin tonë të vetëdijshëm. Ju mund ta provoni këtë sistem në punë kur dëgjoni një krismë shumë të fortë dhe të papritur. Cfare bëni? Ju me siguri menjëherë dhe automatikisht zhvendosni vëmendjen tuaj drejt tingullit. Ky është sistemi 1.

Ky sistem është një trashëgimi e së kaluarës sonë evolucionare: ka avantazhin sepse na ndihmon të mbijetojmë duke na dhënë mundësinë të jemi në gjendje të bëjmë veprime dhe gjykime të tilla të shpejta.

Ndërsa Sistemi 2 është ai që ne mendojmë kur imagjinojmë, është ajo pjesë e trurit përgjegjëse për vendimmarrjen, arsyetimin dhe bindjet tona individuale. Në këtë sistem futen ato veprimtari të vetëdijshme të mendjes siç janë vetë-kontrolli, zgjedhjet dhe përqendrimi i qëllimshëm i vëmendjes.

Për shembull, imagjinoni se po kërkoni një grua në një turmë. Mendja juaj përqendrohet qëllimisht në këtë detyrë: kujton karakteristikat e personit dhe çdo gjë që do të ndihmonte në gjetjen e saj. Ky përqendrim ndihmon në eliminimin e shpërqendrimeve të mundshme saqë mezi vëreni njerëz të tjerë në turmë. Nëse e mbani këtë vëmendje të përqendruar, mund ta gjeni atë brenda disa minutave, ndërsa nëse hutohesh dhe humb fokusin, do të kesh probleme ta gjesh atë.

Siç do ta shohim në rreshtat e mëposhtëm, marrëdhënia midis këtyre dy sistemeve përcakton mënyrën se si sillemi.

Mendja dembele: si dembelizmi të shtyn të gabosh dhe ndikon në inteligjencën tënde.

Për të parë se si funksionojnë të dy sistemet, provoni të zgjidhni këtë problemë:

Një shkop dhe një top kushtuan 1,10 dollarë. Shkopi kushton një dollar më shumë se topi.

Sa kushton topi?

Vlera që ka shumë të ngjarë të të shkojë në mendje, është $0,10, sepse është rezultat i Sistemit Intuitiv dhe automatik 1, dhe është gabim! Ndalo një sekondë dhe bëji llogaritë më avash.

E gjete gabimin tënd? Përgjigja e saktë është 0,05 dollarë.

Ajo që ndodhi ishte se Sistemi yt impulsiv 1 mori kontrollin dhe u përgjigj automatikisht duke u mbështetur në intuitë. Por ai u përgjigj shumë shpejt.

Zakonisht, kur ndeshemi me një situatë të cilën nuk mund ta kuptojmë, Sistemi 1 i bën thirrje Sistemit 2 që të zgjidhë problemin, por në problemin e shkopit dhe topit, Sistemi 1 është mashtruar. Ai e percepton problemin si më të thjeshtë nga sa është, dhe gabimisht supozon se mund ta zgjidhë atë vetë.

Çështja që shfaq problemi i topit dhe shkopit është dembelizmi ynë i lindur. Kur përdorim trurin tonë, ne priremi të përdorim sasinë minimale të energjisë së mundshme për secilën detyrë. Ky njihet si Ligji i Përpjekjes Minimale. Meqenëse analizimi i përgjigjes me Sistemin 2 do të kërkonte më shumë energji, mendja jonë thjesht refuzon ta bëjë këtë kur mendon se mund të realizohet më shpejt me Sistemin 1.

Ky dembelizëm është një fatkeqësi, sepse përdorimi i Sistemit 2 është një aspekt i rëndësishëm i inteligjencës sonë. Hulumtimet tregojnë se praktikimi dhe të ushtruarit me aktivitete të Sistemit 2, siç është përqendrimi dhe vetë-kontrolli, çojnë në rezultate më të larta inteligjence. Problemi i shkopit dhe topit e ilustron këtë, pasi mendjet tona mund të kishin kontrolluar përgjigjen duke përdorur Sistemin 2 dhe në këtë mënyrë do ta shmangnim bërjen e këtij gabimi të zakonshëm.

Duke qenë dembelë dhe duke shmangur përdorimin e Sistemit 2, mendja jonë po kufizon forcën e inteligjencës sonë.

Autopiloti: pse nuk je gjithmonë në kontroll të vetëdijshëm të mendimeve dhe veprimeve tua.

Çfarë mendoni kur shihni fragmentin e fjalës “_EMË”? Ndoshta asgjë. Po sikur të konsideroni fillimisht fjalën «Gjelbërim»? Tani, kur e shikoni përsëri fjalën “_EMË”, me siguri do ta plotësoni atë “PEMË”. Ky proces njihet si parakushtëzimi.

Ne përgatitemi kur ekspozimi ndaj një fjale, koncepti ose ngjarje bën që ne të kujtojmë fjalë dhe të lidhim koncepte. Nëse do të kishit parë fjalën “SHKOLLË” në vend të “GJELBËRIM” më lart, me siguri do ta kishit plotësuar fjalën si “TEMË”.

Një përgatitje e tillë ndikon jo vetëm në mënyrën se si mendojmë, por edhe në mënyrën se si veprojmë. Ashtu si mendja ndikohet nga dëgjimi i fjalëve dhe koncepteve të caktuara, edhe trupi mund të ndikohet gjithashtu. Një shembull i shkëlqyeshëm i kësaj mund të gjendet në një studim në të cilin pjesëmarrësit filluan të parapërgatiteshin me fjalët që lidheshin me plakjen, të tilla si “eshtra” dhe “rrudha”, ata reaguan duke ecur me një ritëm më të ngadaltë se zakonisht.

Për çudi, ndryshimi i veprimeve dhe mendimeve është plotësisht i pavetëdijshme; ne e bëjmë atë pa e kuptuar.

Ajo që vërtetohet këtu është se përkundër asaj që shumë argumentojnë, ne nuk jemi gjithmonë në kontrollin e vetëdijshëm të veprimeve, gjykimeve dhe zgjedhjeve tona. Përkundrazi, jemi në mënyrë të vazhdueshme duke pësuar një parakushtëzim nga rrethana të caktuara sociale dhe kulturore.

Parakushtëzimi , ashtu si elementët e tjerë shoqërorë, mund të ndikojë në mendimet e një individi dhe për rrjedhojë zgjedhjet, gjykimin dhe sjelljen – dhe këto reflektojnë përsëri në kulturë dhe ndikojnë shumë në llojin e shoqërisë në të cilën jetojmë të gjithë.

Gjykime të parakohshme: mendja bën zgjedhje të shpejta, edhe nëse i mungon informacioni i mjaftueshëm për të marrë një vendim racional.

Imagjinoni të takoni dikë me emrin Ben në një festë, dhe e keni të lehtë për të biseduar me të. Më vonë, dikush pyet nëse njihni dikë që mund të dëshirojë të kontribuojë në bamirësinë e tyre. Ju mendoni për Benin, edhe pse e vetmja gjë që dini për të është se e kishit të lehtë për të biseduar me të.

Me fjalë të tjera, ju pëlqeu një aspekt i karakterit të Benit, dhe kështu supozuat se do të pëlqenit gjithçka tjetër tek ai. Shpesh e pranojmë ose nuk e pranojmë një person edhe kur dimë pak rreth tyre.

Prirja e mendjes sonë për të thjeshtësuar gjërat për të cilat nuk kemi informacion të plotë shpesh çon në gabime gjykimi. Kjo quhet Koherencë Emocionale e Ekzagjeruar, e njohur edhe si efekti halo: ndjenjat pozitive për gadishmërinë e Benit ju bëjnë që të krijoni një halo mbi Benin, edhe pse dini shumë pak për të.

Por kjo nuk është mënyra e vetme sesi mendjet tona i bien për shkurt kur bëjnë gjykime.

Ekziston gjithashtu Paragjykimi Konfirmues, që është tendenca që kanë njerëzit të pajtohen me informacione që mbështesin bindjet e tyre të mëparshme, pra njerëzit kanë qejf të dëgjojnë nga të tjerët ato gjëra që ata tashmë i dinë, thjesht sepse u pëlqen konfirmimi, si dhe të pranojnë çfarëdo informacioni që u sugjerohet atyre pas kësaj.

Kjo mund të tregohet nëse shtrojmë pyetjen, “A është Xhimi miqësor?” Studimet kanë treguar se, përballë kësaj pyetjeje por pa informacion tjetër, ne kemi shumë të ngjarë ta konsiderojmë Xhimin miqësor – sepse mendja konfirmon automatikisht idenë e sugjeruar.

Efektet halo dhe Paragjykimi i Konfirmimit ndodhin sepse mendjet tona janë të etura për të gjykuar shpejt. Por kjo shpesh çon në gabime, sepse jo gjithmonë kemi të dhëna të mjaftueshme për të krijuar një përshtypje të saktë. Mendjet tona mbështeten në sugjerime të rreme dhe sqarime të tepërta për të plotësuar boshllëqet në të dhëna, duke na çuar në përfundime potencialisht të gabuara.

Ashtu si parakushtëzimi, këto fenomene njohëse ndodhin pa dijeninë tonë të vetëdijshme dhe ndikojnë në zgjedhjet, gjykimet dhe veprimet tona.

Heuristika: si mendja i bie për shkurt për të marrë vendime të shpejta.

Shpesh e gjejmë veten në situata kur duhet të bëjmë një gjykim të shpejtë. Për të na ndihmuar ta bëjmë këtë, mendjet tona kanë krijuar shtigje për shkurt për të kuptuar menjëherë rrethanat. Këto quhen heuristika.

Shumicën e kohës, këto procese janë shumë të dobishme, por problemi është se mendjet tona kanë tendencë t’i mbipërdorin shumë. Zbatimi i tyre në situata për të cilat ato nuk janë të përshtatshme mund të na çojë në bërjen e gabimeve. Për të kuptuar më mirë se çfarë janë heuristikat dhe në cilat gabime mund të na çojnë, ne mund të ekzaminojmë dy nga shumë llojet e tyre: heuristika e zëvendësimit dhe heuristikat e disponueshmërinë.

Heuristika e zëvendësimi është aty ku ne i përgjigjemi një pyetje më të lehtë sesa ajo që u shtrua në të vërtetë.

Le të marrim këtë pyetje, si shembull: «Ajo grua është kandidate për deputete. Sa e suksesshme do të jetë ajo në detyrë?” Ne e zëvendësojmë automatikisht pyetjen që duhet të përgjigjemi me një pyetje më të lehtë, si kjo: “A duket kjo grua si dikush që do të bënte si deputete?”

Kjo heuristikë do të thotë që në vend që të hulumtojmë sfondin dhe politikat e kandidatit, ne thjesht i bëjmë vetes pyetjen shumë më të lehtë nëse kjo grua përputhet me imazhin tonë mendor të një deputeteje të mirë. Fatkeqësisht, nëse gruaja nuk i përshtatet imazhit tonë të një deputeteje, ne mund ta refuzojmë atë – edhe nëse ajo ka vite përvojë në çështjet sociale ekonomike dhe juridike gjë që do ta bënte atë kandidaten ideale.

Tjetra është heuristika e disponueshmërisë, e cila gjendet aty sa herë që ju mbivlerësoni probabilitetin e diçkaje që dëgjoni shpesh ose e gjeni të lehtë për ta mbajtur mend.

Për shembull, goditjet në tru shkaktojnë vdekje më shumë sesa aksidentet, por një studim zbuloi se 80 përqind e të anketuarve e konsideruan një vdekje aksidentale një fat më të mundshëm. Kjo ndodh sepse ne dëgjojmë më shumë për vdekje aksidentale në media, dhe sepse ata lënë një përshtypje më të fortë tek ne; ne i kujtojmë vdekjet aksidentale të tmerrshme më lehtë sesa vdekjet nga goditjet në tru, dhe kështu mund të reagojmë në mënyrë jo të duhur ndaj këtyre rreziqeve.

Aspak Dëshirë për Numrat: Pse vuajmë të kuptojmë statistikat dhe bëjmë gabime të shmangshme për shkak të saj.

Si mund të bëni parashikime nëse disa gjëra do të ndodhin?

Një mënyrë efektive është të mbani në mend nivelin e bazës. Kjo i referohet një baze statistikore, në të cilën mbështeten statistikat e tjera. Për shembull, imagjinoni që një kompani e madhe taksi ka 20 përqind kabina të verdha dhe 80 përqind kabina të kuqe. Kjo do të thotë që niveli bazë për taksitë e verdha është 20 përqind dhe niveli bazë për taksitë e kuqe është 80 përqind. Nëse porosisni një taksi dhe dëshironi të merrni me mend ngjyrën e saj, mbani mend normat bazë dhe do të bëni një parashikim mjaft të saktë.

Prandaj, duhet të kujtojmë gjithmonë normën bazë kur parashikojmë një ngjarje, por për fat të keq kjo nuk do të ndodhë. Në fakt, neglizhenca e nivelit bazë është jashtëzakonisht e zakonshme.

Një nga arsyet që ne e shohim veten duke injoruar normën bazë është se ne përqendrohemi në atë që presim në vend të asaj se çfarë ka të ngjarë.

Për shembull, nëse një sulmues futbolli që mesatarisht shënon pesë gola në muaj, shënon dhjetë gola në shtator, trajneri i saj do të jetë ekstazik; por nëse ai pastaj vazhdon të shënojë rreth pesë gola në muaj për pjesën tjetër të vitit, trajneri i tij me siguri do ta kritikojë atë se përse nuk po e vazdon lojën e tij “të nxehtë”. Sulmuesi nuk do ta meritonte këtë kritikë, sepse ajo është vetëm regresion ndaj mesatares!

Mendja përmbi çështjen: si rregullimi i fokusit të mendjeve tona mund të ndikojë në mënyrë dramatike në mendimet dhe sjelljet tona.

Mendjet tona përdorin sasi të ndryshme të energjisë në varësi të detyrës. Kur nuk ka nevojë për të mobilizuar vëmendjen dhe nevojitet pak energji, ne jemi në një gjendje lehtësuese konjitive. Megjithatë, kur mendjet tona duhet të mobilizojnë vëmendjen, ata përdorin më shumë energji dhe hyjnë në një gjendje të tendosjes konjitive.

Këto ndryshime në nivelet e energjisë së trurit kanë efekte dramatike në mënyrën sesi sillemi.

Në një situatë lehtësie konjitive, sistemi intuitiv 1 është merr përparësinë e kontrollit të mendjes tonë, ndërsa Sistemi logjik 2, ai që kërkon më tepër energji është i bllokuar. Kjo do të thotë që ne jemi më intuitiv, krijues dhe më të lumtur, por megjithatë kemi më shumë të ngjarë të bëjmë gabime.

Nga ana tjetër, në një gjendje të tendosjes konjitive, vetëdija jonë është rritur më shumë, dhe kështu Sistemi 2 është vënë në krye. Sistemi 2 është më i gatshëm të kontrollojë dyfish gjykimet tona sesa Sistemi 1, kështu që megjithëse jemi shumë më pak krijues, do të bëjmë më pak gabime.

Ju mund ta ndikoni me vetëdije sasinë e energjisë që përdor mendja për të marrë sasinë e duhur të vëmendjes për detyra të caktuara. Nëse doni që një mesazh të jetë bindës, për shembull, provoni të promovoni lehtësinë konjitive.

Një mënyrë për ta bërë këtë është ta ekspozojmë veten ndaj informacionit përsëritës.

Nëse informacioni përsëritet tek ne, jo vetëm që bëhet më i paharrueshëm, ai bëhet më bindës. Kjo për shkak se mendjet tona kanë evoluar duke reaguar pozitivisht, kur vazhdimisht i ekspozohen të njëjtave mesazhe të qarta. Kur shohim diçka të njohur, ne hyjmë në një gjendje lehtësie konjitive.

Këshillë: Nëse dëshiron që njerëzit ta dëgjojnë dhe ta miratojnë fjalën tënde, fillon të flisni me fjalë të thjeshta, shpjegoni në fillmi gjërat që ata tashmë i dinë, shmangeni diçka të vështirë për t’u shpjeguar duke përdorur metafora, ose ngjarje, histori, ndodhi.

Tendosja konjitive, nga ana tjetër, na ndihmon të kemi sukses në gjëra të tilla si problemet statistikore.

Imazhet e rreme: pse mendja ndërton fotografi të plota për të shpjeguar botën, por ato çojnë në mbivetëbesim dhe gabime.

Për të kuptuar situatat, mendjet tona përdorin natyrshëm koherencën njohëse; ne ndërtojmë fotografi të plota mendore për të shpjeguar idetë dhe konceptet. Për shembull, ne kemi shumë imazhe në trurin tonë për motin. Kemi një imazh për, le të themi, motin e verës, i cili mund të jetë një pamje e një dielli të ndritshëm, të nxehtë, që na ban ngrohtë.

Po kështu duke na ndihmuar të kuptojmë gjërat, ne gjithashtu mbështetemi në këto imazhe kur marrim një vendim.

Me pak fjalë, kur jemi të paqartë ne mbështetemi tek këto imazhe për t’i bazuar konkluzionet tona. Për shembull, kur duam të kuptojmë çfarë rrobash do të veshim në verë, ne i bazojmë vendimet tona sipas motit të kësaj stine. Por ka mënyra për të kapërcyer këtë mbivendosje dhe të filloni të bëni parashikime më të mira.

Për të shmangur gabimet, një mënyrë është të shfrytëzoni parashikimin e klasës së referencës. Në vend që të gjykoni në bazë të imazheve tuaja mendore mjaft të përgjithshme, përdorni shembuj specifikë historikë për të bërë një parashikim më të saktë. Për shembull, mendoni për rastin e fundit që keni dalë kur ishte një ditë e ftohtë vere.

Çfarë patët veshur atëherë?

Mesazhi kryesor:

Të menduarit e shpejtë dhe të ngadaltë na tregon se mendjet tona përmbajnë dy sisteme. E para vepron në mënyrë instiktive dhe kërkon pak përpjekje; e dyta është më e qëllimshme dhe kërkon shumë më tepër vëmendjen tonë. Mendimet dhe veprimet tona ndryshojnë në varësi të asaj se cili prej dy sistemeve është në kontroll të trurit tonë në atë kohë.

Këshilla për t’u zbatuar që nga ky moment:

1. Përsëriteni mesazhin!

Mesazhet janë më bindëse kur ne jemi vazhdimisht të ekspozuar ndaj tyre. Kjo ndoshta për shkak se ne kemi evoluar në një mënyrë që ekspozimi i përsëritur ndaj gjërave që nuk kanë pasoja të këqija në thelb vlerësohen si të mira.

2. “Më jep pak kohë ta mendoj!”, duhet të bëhet shprehja juaj më e dashur.

Në përditshmërinë tonë, qoftë kur kemi të bëjmë me një akt të thjeshtë shitjeje apo blerjeje në pazar, apo qendra tregtare, qoftë kur duhet të marrim një vendim të rëndësishëm mbi karrierën apo për të shkëmbyr diçka njerëzit e tjerë në këto situata do të përdorin mënyra të ndryshme për t’ju nxitur që të mendoni me Sistemin 1, dhe ajo që duhet të bësh është ta çosh veten tek Sistemi 2, me vetëm një fjali të thjeshtë: “Më jep pak kohë ta mendoj!”

/shkollaesuksesit.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re