E ndërsa po i afrohemi rikthimit total në normalitet institucionet vijojnë që të mos merren vesh me njëri tjetrin, ndërsa ata që vuajnë pasojat e urdhrave kontradiktorë janë qytetarët.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi dje se sot dhe nesër makinat do të lejohen që të qarkullojnë, por nuk lejohet vetëm lëvizja nga zona e kuqe te e gjelbra dhe e kundërta. Gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama njoftoi sot se nuk ka kufizim për lëvizjen e makinave me përjashtim të daljes nga zona e kuqe dhe që të futen nga e gjelbra.
Por policia e shtetit nuk mendon kështu dhe duket se nuk është e azhornuar me urdhrin zyrtar të ministrisë së Shëndetësisë dhe postimin e kryeministrit Edi Rama duke njoftuar bllokimin e makinave nesër në të gjithë vendin, ashtu si fundjavat që kaluan në këtë kohë pandemie.
“Në kuadër të zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Policia e Shtetit njofton të gjithë qytetarët se në datën 31.05.2020 do të jenë të hapura të gjitha bizneset, si dhe do jetë e lirë lëvizja për këmbësorët, por nuk do lejohet në asnjë qytet të vendit qarkullimi i automjeteve.
Gjithashtu, edhe për këtë fundjavë nuk do lejohet hyrja dhe dalja në zonat e kuqe, si dhe ndalohet lëvizja drejt plazheve nga zonat që nuk janë zona bregdetare.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të zbatojnë me rigorozitet ndalim-qarkullimin me automjete për ditën e nesërme, si dhe të respektohet distancimi social në të gjithë vendin”.
