Kosova po përjeton një situatë të rëndë për shkak të shpërthimit të rasteve me Covid-19.

Ditën e sotme një 26-vjeçare dhe një foshnjë 3-javëshe kanë ndërruar jetë në spital pas infektimit me variantin e ri Delta.

Ajo ishte shtatzënë dhe kishte lindur para disa ditëve fëmijën në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK. Por pas lindjes të cilën e kishte kryer me operacion, ajo ishte transferuar për në intensivë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Lajmin e ka konfirmuar për “Express” anesteziologu, Gazmend Spahija i cili ka treguar se pacientja prej 2 shtatorit ishte dërguar në gjendje më të rëndëuar shëndetësore. Sipas tij, pacientia kishte probleme në mushkri dhe organe tjera.

“Gruaja ka vdekur sot në orën 02:30. Ajo është sjellë në gjendje shumë të rëndë me datën 2 shtator pas intervenimit kirurgjik cezarian, pacientën e kanë transferuar në intensivë. Është kryer lindja me intervenimin kirurgjik, prej sallës është sjell në intensivë. Gjendja ka qenë shumë e rëndë, përpos dështimit të funksionit të mushkërive, kishte dështim edhe të organeve tjera”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, Hajrie Ismaili ka folur për ndarjen nga jeta edhe të foshnjës 3 javëshe e cila prej lindjes ishte në gjendje të rënduar shëndetësore.

“Foshnja ka qenë me COVID. Ajo ka lind më 13 gusht në Ferizaj dhe me 29 gusht është pranuar në Klinikë. Ajo ka ardhur në gjendje të rëndë. Prej momentit të parë ka qenë në gjendje të rëndë me gjitha përpjekjet që i kemi”, ka shtuar ajo.

Foshnja thuhet se që në fillim kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa pastaj ishte vendosur në ventilim mekanik. Ajo ishte infektuar me virus nga familjarët e saj.

Gjatë këtij viti, pesë gra shtatzëna të pa vaksinuara kanë humbur jetën nga COVID-19, tri nga të cilat kanë kryer edhe lindjen.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re