Dy fëmijë 3 vjeçarë të cilët lindën me kokat të bashkuara, kanë mundur të ndahen me sukses falë një operimi që zgjati për afro 27 orë. Media britanike e ka përcjellë lajmin në lidhje me binjakët e quajtur Bernardo e Arthur Lima, të cilët kishin lindur me kokat e trurët e bashkuar.
Para ndërhyrjes që ndau fëmijët, 3 vjeçarët i ishin nënshtruar disa operimeve. Për ndërhyrjen e fundit binjakët u ndoqën nga një neurokirurg britanik dhe afro 100 pjesëtarë të stafit mjekësor.
Ndërhyrja ishte një ndër operacionet më komplekse të arritura ndonjëherë, ndërsa shuma u arrit falë një karvani bamirësie i cili u nis nga vetë mjekët.
Përpara operimit të vështirë, mjekët nisën të provojnë teknika duke përdorur skanerat e kokave të djemve në realitet virtual, për të gjetur mënyrën më të mirë për të kryer ndërhyrjen. Kirurgu pediatër Noor Jeelani, tregoi se për herë të parë, një grup me kirurgë vendosën syve VR (realitet virtual) dhe nisën të shohin për mundësitë e operimit, përpara se të kryenin ndërhyrjen tek fëmijët.
“Është thjesht e mrekullueshme, sepse është mirë të shohësh anatominë e të bësh ‘operim’, përpara se të vendosësh fëmijët në ndonjë risk. Mund ta imagjinoni sesa siguruese ishte kjo eksperiencë për kirurgët.”-shpjegoi kirurgu Jeelani, i cili gjatë 27 orëve operim, kishte bërë 4 herë pushime 15 minutëshe për të pirë ujë e ngrënë diçka.