Qeveria ka vendosur që të dyfishojë ndihmën ekonomike për të gjithë ato familje që janë përfituese. Vendimi, sipas Vizion Plus, është publikuar në fletoren zyrtare dhe do të jetë i zbatueshëm nga muaji janar deri në muajin qershor 2021. Argumentimi i qeverisë mbështetet tek efektet e pandemisë Covid-19, çka detyroi këshillin e ministrave të marrë këtë vendim.

Referuar kritereve, do të përfitojnë ato familje që kanë të ardhura të pakta ose të pamjaftueshme, jetimët që nuk jetojnë në jetimore, prindër me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh, viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesjes si dhe viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare.

Mënyra e përllogaritjes së ndihmës ekonomike bazohet në strukturën e familjes, po ajo nuk mund të jetë më shumë se 150% e pensionit social, që arrin në 15 mijë lekë në muaj.

Në vitin që lamë pas përfituan në total 64 mijë familje në të gjithë republikën. Gjatë muajve të izolimit qeveria dyfishoi ndihmën për këto familje. Kjo është hera e dytë që qeveria merr një vendim të tillë.