Greqia do të vazhdojë të zgjasë gardhin në kufirin verior me Turqinë, i cili u krijua në vitin 2012 për të parandaluar hyrjen e paligjshme të migrantëve.

Zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas tha se autoritetet morën vendimin këtë vit pasi dhjetëra mijëra migrantë u përpoqën të hyjnë në vend në fund të shkurtit, kur Ankaraja tha se nuk do t’i ndalonte më ata nga veprimi i tillë.

Greqia, e cila ka mosmarrëveshje të shumta me Turqinë fqinje, është një hyrje për në Evropë për shumë migrantë që ikin nga lufta dhe varfëria nga Lindja e Mesme dhe vendet e tjera. Në periudhën midis 2015 dhe 2016, mbi Greqi kaluan mbi një milion migrantë.

Gardhi i telit prej betoni dhe teli me gjemba

Siç thuhet, gardhi i bërë prej betoni dhe teli me gjemba është duke u ngritur nga katër kompani greke të ndërtimit, dhe përfundimi i projektit me vlerë 63 milion euro pritet në tetë muaj, njoftoi Reuters.

Gardhi me gjatësi 12.5 kilometra është ngritur tetë vjet më parë për të parandaluar hyrjen e paligjshme të migrantëve në vend, dhe do të shtrihet në ato pjesë të përcaktuara nga policia dhe ushtria, tha Petsas pa shpjegime të mëtejshme.

Një zëdhënës i qeverisë greke tha në mars se gardhi do të ishte 40 kilometra i gjatë pasi të përfundonte projekti.

Ndodh kjo ndërsa në anën tjetër, tensionet midis Greqisë dhe Turqisë janë përshkallëzuar kohët e fundit për shkak të burimeve të naftës dhe gazit në rajonin e Mesdheut Lindor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re