
Një fluks i madh qytetarësh nga Dibra është regjistruar këto ditë në pikën kufitare të Bllatës, në drejtim të Maqedonisë së Veriut, ku shumë familje po udhëtojnë për të blerë ushqime dhe produkte të tjera për festat e fundvitit.
Megjithatë, fluksi i shtuar ka sjellë pritje të gjata në doganë. Qytetarët raportojnë se kanë më shumë se dy orë në radhë për të kaluar kufirin, ndërsa kolona e automjeteve shtrihet deri në rreth 5 kilometra nga të dyja anët e pikës kufitare. Në këto kushte, qytetarët kërkojnë nga autoritetet që në Doganën e Bllatës të hapen më shumë sportele dhe të merren masa shtesë për të përshpejtuar procedurat, në mënyrë që të shmangen pritjet e gjata dhe qëndrimi për orë të tëra në radhë.


