Ata qytetarë që mbushin rrugët dhe tregjet pa ruajtur një distancë sigurie rrezikojnë të ndëshkohen me heqje lirie. Paralajmërimi erdhi nga kryeministri Edi Rama në “Facebook”. Sipas shefit të qeverisë, masat e reja ndëshkimore do të jenë ligj që nga e hëna.

 

“🔴 NËSE KY ËSHTË NIVELI I KUPTIMIT TË DETYRËS QYTETARE NË FRONTIN E KËSAJ LUFTE PËR JETË A VDEKJE DHE MEQË MESA DUKET ECURINË POZITIVE TË LUFTËS DERI TANI, SHUMËKUSH PO E KUPTON GABIMISHT SI ARSYE PËR T’U LËSHUAR ME IDENË SE S’NA GJEN GJË, ATËHERË PËRGJIGJA E SHTETIT DO TË JETË RECIPROKE PËR KËDO QË NUK DO TË HYJË NË RRESHT PËR TË MBAJTUR RADHË!

🔴 USHTRIA DHE POLICITË BASHKIAKE BASHKIAKE DO TË KRIJOJNË URGJENTISHT KORDONËT SANITARË TË TREGJEVE. POLICIA E SHTETIT DO TË GODASË SHKELËSIT ME MASA TË REJA NDËSHKIMORE!

🔴 MASAT E REJA NDËSHKIMORE DO TË JENË LIGJ DITËN E HËNË DHE PËR KOKËSHKRETËT DO TË SHKOHET DERI NË HEQJE LIRIE!”

 

I pari i qeverisë u shpreh i bindur se kjo luftë do të fitohet dhe se nuk do të lejojë disa qytetarë të prishin gjithçka është bërë deri tani.

 

“Tirana është vatra më e rrezikshme e luftës. Durrësi njësoj si Tirana mund të kthehet në Vaterlonë tonë. Shkodra është tanimë një bombë me sahat. Fieri është një rrezik i madh potencial. Kudo mund të na iki avantazhi që kemi krijuar, nëqoftëse do ta bëjmë si Kombëtarja Kuqezi që pjesën e parë duket sikur do fitojë, pastaj… Harrojeni, këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar.”

 

Reagimi i Ramës erdhi pas raportimit të mediave për dyndje masive të qytetarëve në rrugë të cilët përfitojnë nga koha dhe nga orari i liri-daljes. Nga kjo e shtunë në orën 13.00 deri të hënën në 05.00, të gjithë do të karantinohen në shtëpi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re