Inceneratori i Tiranës konsiderohet si një nga koncesionet më abuzive të dhëna nga qeveria, duke nisur që nga procedura e miratimit të tij e deri tek pagesat që po rëndojnë buxhetin e bashkisë dhe të shtetit.

 

Ky është konstatimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, në një audit që ka kryer, ende të papublikuar, por që Vizion Plus ka siguruar. Shkelja e parë nis me faktin se nuk ka një dokumentacion të qartë të propozimit të pakërkuar nga ana e kompanisë koncesionare, mbi të gjitha një praktikë e tillë nuk është publikuar as në Agjencinë e Prokurimit Publik, çka është një detyrim ligjore.

 

“Procedura e planifikimit të projektit ka mungesa dhe paqartësi në lidhje me propozimin paraprak të ardhur në ministri nga shoqëria dhe konfirmimin e miratimit paraprak nga ana e ministrisë së Financave. Procedura konkurruese nuk gjendet as në sistemin elektronik të prokurimeve, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme shkresore elektronike mes ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Procedura konkurruese e këtij projekti me koncesion nuk është kryer në përputhje me parimet transparencës dhe përcaktimet ligjore.” –thuhet në raportin e KLSH.

 

Në raport evidentohet se ky koncesion është miratuar pa patur më parë një studim fizibiliteti lidhur me efektivin e tij, ndërsa ministria e Financave nuk ka dhënë miratimin e saj mbi këtë projekt. I vetmi institucion publik, i cili është shprehur pro këtij investimi është bashkia e kryeqytetit, ndërsa nuk janë pyetur bashkitë e tjera të qarkut Tiranë.

 

“Mungesa e vendimmarrjes nga ana e ministrisë së Financave, në cilësinë e vlerësuesit dhe miratimit paraprak të këtij koncesioni, nga pikëpamja finaciare, shpreh në mënyrë eksplicite paqëndrueshmërinë e angazhimeve publike që rrezikojnë në mënyrë të konsiderueshme përballueshmërinë dhe efektivitetin e projektit. Mungesa e dakordësive me shkrim e bashkive të tjera, përveç bashkisë Tiranë, provokon në të ardhmen kosto financiare për këto njësi vendore, çka do të sjellë mungesë efektiviteti për realizimin e projektit në të ardhmen.”- vijon më tej raporti.

 

Gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit ndalen edhe te tarifa prej 29 euro, që paguhet për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës, e cila mbete sërish e paratë se si është përllogaritur kjo tarifë.

 

“Institucionet e përfshira në auditim nuk kanë vendosur në dispozicion asnjë evidencë për negocimin paraprak të tarifës prej 29 euro për tonë të mbetjeve me operatorin ekonomik koncensionar.”

 

I gjithë ky koncesion ka dyfishuar shpenzimet për pastrim të bashkisë së Tiranës, ndërsa edhe buxheti i shtetit po rëndohet çdo vit me transfertat që paguan ndaj këtij koncesioni, ndërkohë që inceneratori ende nuk ekziston si një vepër publike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re